Nisin „Ligjëratat e Drekës” në Fakultetin Filozofik të UP-së
Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës u mbajt ligjërata e parë në kuadër të iniciativës së re akademike „Ligjëratat e Drekës” (Lunch Lectures), duke shënuar zyrtarisht fillimin e një platforme të re komunikimi dhe shkëmbimi intelektual brenda universitetit dhe me publikun më të gjerë.
Kjo iniciativë është ndërmarrë nga profesorët e Fakultetit Filozofik, Njomza Llullaku, Arsim Canolli dhe Tahir Latifi, me synimin për të krijuar një hapësirë më të hapur për prezantimin dhe diskutimin e punës akademike dhe projekteve në zhvillim.
Në hapjen e aktivitetit, Arsim Canolli prezantoi konceptin e „Ligjëratave të Drekës”, duke theksuar nevojën që komuniteti universitar të komunikojë më shumë si brenda vetes, ashtu edhe me publikun. Ai nënvizoi se kjo nismë synon të bëjë të dukshme punën e vazhdueshme dhe shpesh të padukshme që kolegët akademikë realizojnë për komunitetin. Në këtë kuadër, ai theksoi se tema e vitit kalendarik është “Universiteti, hulumtimi dhe komuniteti”.
Ligjërata e parë u mbajt nga profesorët e Departamentit të Punës Sociale, Prof. Njomza Llullaku, Prof. Avdyl Gashi, Dr. Ass. Rita Selimi, të cilët prezantuan programin e praktikës profesionale dhe diskutuan mbi qëndrueshmërinë e programit dhe zhvillimin e kompetencave profesionale të studentëve. Një ndër veçantitë e programit të punës sociale u theksua edhe puna praktike në Qendra të Punës Sociale (QPS) nëpër të gjitha komunat, program ky që Departamenti e organizon për një kohë të gjatë ku studentët kanë mundësi të bëjnë punë praktike në institucione, të kreditohen për të. Programi ka krijuar mundësi të ndryshme angazhimi praktik, përfshirë edhe praktika me pagesë dhe ka kontribuuar në rritjen e mundësive për punësim të studentëve, duke forcuar lidhjen ndërmjet mësimit akademik dhe përvojës në terren.
Pas ligjëratës u zhvillua një diskutim i hapur me pjesëmarrësit, duke reflektuar frymën interaktive dhe informale që synon të kultivojë kjo seri ligjëratash.
U bë gjithashtu e ditur se ligjëratat e drekës do të mbështeten me ushqim dhe pije nga organizata „Terre des Hommes” në Kosovë, duke kontribuuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për diskutim gjatë orës së drekës. Në ligjërata morën pjesë drejtori z. Pajtim Zeqiri dhe përfaqësuesit e kësaj organizate.
Në fund të aktivitetit u njoftua se ligjërata e radhës do të mbahet më 14 prill prej orës 12.00-13.00, ku profesorët e Departamentit të Antropologjisë do të prezantojnë projektin mbi dokumentimin e masakrës së Krushës së Madhe, të realizuar gjatë vitit 2020-2024.
“Ligjëratat e Drekës” pritet të vazhdojnë si një traditë e re akademike në Fakultetin Filozofik, Universitetin e Prishtinës, duke forcuar dialogun ndërdisiplinor dhe lidhjen e universitetit me shoqërinë.