Nisin ligat universitare – UP-ja përfaqësohet me 14 ekipe
Federata e Sporteve Universitare e Kosovës ka inauguruar sot ligat universitare në futsal, volejboll dhe ping-pong. Pjesë e këtyre ligave janë edhe 14 ekipe nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, tri sosh në volejboll, pesë në ping-pong dhe gjashtë në futsal.
Këtë arritje të sportit universitar e uroi i pari i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, i cili premtoi mbështetjen e UP-së për studentët sportistë.
“Jam i lumtur që sot po marr pjesë në ceremoninë hapëse të ligave universitare. Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, ndonëse federatë e re, ka bërë punë të madhe në promovimin e sportit universitar në vendin tonë. Ligat universitare janë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim,” tha Dema.

I lumtur për realizimin e suksesshëm të kësaj iniciative të FSUNK-së u shpreh edhe presidenti i Federatës, z. Musa Selimi, njëherësh dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, i cili i përgëzoi studentët për hapin që kanë marrë duke u bërë pjesë e këtyre ligave.
Inaugurimin e ligave universitare e përshëndeti edhe zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Ismet Beqiri, i cili krijimin e ligave universitare e konsideroi si një sukses dhe hap të madh drejt avancimit të sportit universitar. Ndërkaq, Shasivar Haxhijaj, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se shpreson që shembullin e FSUNK-së dhe sportit universitar ta ndjekin edhe niveli i shkollimit të mesëm dhe ai fillor, duke krijuar liga edhe në kuadrin e tyre.
Lojërat e para të ligave universitare janë zhvilluar sot. Pjesëmarrës në këto liga janë ekipet nga universitetet anëtare të FSUNK-së, ku hyn edhe UP-ja.