Nis Shkolla Dimërore „Warm UP”, një arritje tjetër ndërkombëtare e UP-së
Në sallën e Senatit të UP-së nisi sot edicioni i parë i Shkollës Dimërore „Warm UP”, një bashkëpunim mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Luksemburgut.
Shkolla Dimërore WARM UP – Winter Academy of Research Methods at the University of Prishtina, që zhvillohet për herë të parë në histori të UP-së, u kushtohet praktikave më të mira të krijimit e menaxhimit të programeve të doktoratës dhe fuqizimit të kërkimit shkencor, ndërsa synon të bëhet tradicionale dhe pjesë e kalendarit të rregullt akademik.
Në fjalët hyrëse u tha se Shkolla Dimërore do ta fuqizojë UP-në, praninë globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të universitetit, derisa u theksua lidhja e veçantë që institucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë në Kosovë e përtej, ka me Universitetin dhe shtetin e Luksemburgut.
Shkolla „Warm UP”, nisi rrugën e saj me fjalën e prorektores për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha dhe pastaj folën rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe ambasadori i Mbretërisë së Luksemburgut në Kosovë, shkëlqesia e tij, Eric Dietz.
Gjatë këtyre fjalëve u theksua bashkëpunimi shumë i frytshëm i Universitetit të Prishtinës me Universitetin e Luksemburgut, shkëmbimi i studentëve e profesorëve dhe puna për ndërtimin e një ekosistemi të përbashkët shkencor e teknologjik. U tha gjithashtu që duhet të bashkohet talenti me mundësitë, në mënyrë që të ecet përpara drejt inovacioneve në kohën e zhvillimeve të hovshme dhe inteligjencës artificiale.
Më pas në ekspozenë e tij prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari tregoi se në Universitetin e Prishtinës ekzistojnë tetë programe të akredituara të doktoratës dhe 170 studentë aktivë të këtij niveli.
Profesorët e Qendrës SnT në Universitetin e Luksemburgut, prof. Markus Voelp dhe Carlo Duprel shpjeguan se si funksionojnë dhe si janë konceptuar programet e doktoratës në Universitetin e Luksemburgut, duke lavdëruar studentët e UP-së të lidhur me këtë institucion.
Shkëlzen Gërxhaliu, drejtori i Departamentit për Monitorim dhe Procedura pas Akredituese në Agjencinë e Kosovës për Akreditim foli për kriteret që agjencia vendosë për akreditimin e programeve të doktoratës.
Shkolla Dimërore „Warm UP” që mbështetet nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (Lux Dev) dhe Ambasada e Mbretërisë së Luksemburgut në Kosovë, do të vazhdojë gjatë ditës, por edhe të enjten dhe të premten, me sesione të ndryshme.