Nis Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Nis Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Administrator Administrator 18 gusht 2025 Arkivuar

Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, me praninë e 200 albanologëve, studiuesve dhe studentëve, nisi edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në hapje të Seminarit, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, uroi që dashamirësit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare të lidhen përjetësisht me Kosovën dhe viset tjera të banuara nga shqiptarët.

Rektori ua kujtoi të pranishmëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës se gjuha shqipe ishte gjuha amtare e shenjtores së njerëzimit, Nënës Terezë, e heroit mesjetar shqiptar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, por është edhe gjuha e këngëtareve të njohura globalisht, Rita Ora, Dua Lipa dhe shumë njerëzve tjerë.

I pari i Universitetit të Prishtinës, prof. Hajrullahu, falënderoi sidomos studiuesit dhe mysafirët e Seminarit që vijnë nga shtete të cilat në aspektin politik nuk i kanë marrëdhëniet më të mira të mundshme me Kosovën. Rektori gjithashtu u bëri thirrje seminaristëve që vitin e ardhshëm të vijnë edhe në Universitetin Ndërkombëtar Veror që organizohet nga UP-ja që një çerekshekulli. 

Fjalime në nisje të Seminarit mbajtën edhe dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof Abdulla Rexhepi, drejtoresha e këtij aktiviteti, prof. Lindita Sejdiu-Rugova, bashkëdrejtuesi i Seminarit nga Universiteti i Tiranës, prof. Shezair Rokaj, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, shkëlqesia e tij, Petrit Malaj.

Hapjen solemne të njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të organizuara nga Universiteti i Prishtinës, e pasuroi me pikat e zgjedhura artistike pianistja e njohur dhe profesoresha e Fakultetit të Arteve, prof. Lule Elezi.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i themeluar në vitin 1974 është ngjarja më jetëgjatë e studimeve albanologjike në Kosovë dhe në vendet tjera ku jetojnë shqiptarët. Gjatë tij, nga 18 deri më 29 gusht, do të zhvillohen ligjërata, prezantime individuale e diskutime, ndërsa janë paraparë edhe 34 orë mësimi të gjuhës shqipe, në tre nivele.

Seminari gjatë historisë së tij vazhdimisht ka mbajtur kontakte me diasporën historike shqiptare, sidomos atë në Itali, Kroaci e Siri. Sivjet për herë të parë do të hidhet dritë në studimet feministe shqiptare dhe në gjuhën që përdoret në rrjete sociale.

Fjalimin e plotë të rektorit, prof. Arben Hajrullahu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, mund ta lexoni në këtë vegëz.