Nis projekti i ri “Transformimi i sistemit arsimor të Kosovës dhe atij shqiptar duke prezantuar teknologjinë digjitale në edukimin e mësimdhënësve”

Nis projekti i ri “Transformimi i sistemit arsimor të Kosovës dhe atij shqiptar duke prezantuar teknologjinë digjitale në edukimin e mësimdhënësve”

Marigone Vrajolli 20 qershor 2023 Arkivuar

Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës mbajti ngjarjen e lansimit të projektit të ri i cili synon të mbështesë nxënësit dhe edukatorët në Kosovë dhe në Shqipëri në rrugën e transformimit digjital në të gjithë zinxhirin e sistemit arsimor, duke u fokusuar në forcimin e kompetencave digjitale përmes një programi specifik dhe përgjatë kurseve të përgjithshme.

Universiteti i Prishtinës është koordinator, ndërsa partnerë të konsorciumit janë: Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë, Universiteti Linnaeus- LNU, Universiteti i OULU, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Tiranës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Agjencia e Kosovës për Akreditim, Universiteti Ukshin Hoti, Kolegji UBT dhe Meso Online - KCDE.

Pjesëmarrës në lansimin e projektit ishin ambasadori i Finlandës në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, z. Nissinen, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Shkëlqesia e tij, z. Minxhozi, prorektorja për ndërkombëtarizim në Universitetin e Prishtinës, prof. dr. Arta Basha Jakupi, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. dr. Blerim Saqipi, profesorët dhe studentët e universitetit.

Ambasadorët nga Finlanda dhe Shqipëria iu drejtuan audiencës dhe nënvizuan rëndësinë e theksimit të teknologjisë digjitale në edukimin e mësimdhënësve. Më tej ambasadorët theksuan se si rezultat i domosdoshmërisë së përfshirjes së teknologjisë digjitale, ajo krijon mundësi të reja dhe lidh studentët me mësimdhënësit dhe bashkëmoshatarët në mbarë botën.

Prorektorja Basha Jakupi në fjalën e saj foli për nisjen e këtij projekti të rëndësishëm. Prorektorja vuri në pah se si arsimi ka një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e shoqërisë dhe se si edukimi i mësimdhënësve duhet të përfshijë teknologjinë digjitale, e cila ka potencialin të përmirësojë mësimdhënien dhe të nxënit, të nxisë inovacionin dhe të përgatisë edukatorët e ardhshëm për mundësitë dhe sfidat e epokës digjitale.

Prorektorja Basha Jakupi shtoi se kjo përpjekje dëshmon përkushtimin e universitetit ndaj standardeve të larta të mësimdhënies dhe besimin në potencialin transformues të teknologjisë digjitale. "Të gjitha palët e përfshira në projekt duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive në mënyrë që projekti të jetë i suksesshëm, duke përfshirë mësimdhënësit, studentët dhe kompanitë e IT-së, si dhe zyrtarët qeveritarë dhe institucionet arsimore", përfundoi fjalën e saj prorektorja.

Në kuadër të këtij projekti, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Saqipi theksoi se projekti jo vetëm që lidh Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tiranës, por lidh edhe veriun me jugun e Evropës, pasi që pjesë e projektit janë edhe universitetet nga vendet nordike.

Në pjesën e fundit të lansimit të projektit, prof. Krenare Nuci prezantoi projektin dhe objektivat e tij. Janë gjithsej pesë objektiva mbi të cilët bazohet projekti, i cili financohet nga BE-ja me një periudhë zbatimi 2023-2026.