Nis Java Ndërkombëtare e Punës Sociale për fuqizim të ndërkombëtarizimit të UP-së dhe shoqëri të qëndrueshme

Nis Java Ndërkombëtare e Punës Sociale për fuqizim të ndërkombëtarizimit të UP-së dhe shoqëri të qëndrueshme

Administrator Administrator 21 prill 2026

Në Fakultetin Filozofik me fjalime hapëse nisi „Java Ndërkombëtare e Punës Sociale” që synon shtimin e ndërveprimit me profesionistë ndërkombëtarë dhe rritjen e përvojës së studentëve që në të ardhmen me punën e tyre do t’i ndihmojnë shoqërisë kosovare të jetë më e drejtë dhe e barabartë.

Ngjarja e organizuar nga Departamenti për Punë Sociale, solli në Universitetin e Prishtinës edhe profesorë e studentë nga Holanda e Gjermania, mes tyre edhe njërin nga themeluesit e këtij departamenti, profesorin e Universitetit të Amsterdamit, Peer van nder Helm.

Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha, theksoi në fjalën e saj se, në një periudhë të karakterizuar nga transformime të thella shoqërore, ekonomike dhe kulturore, rëndësia e profesionistëve të punës sociale po rritet ndjeshëm. Ajo nënvizoi se, në këtë kontekst, ndërkombëtarizimi nuk përbën më një zgjedhje, por një nevojë të domosdoshme.

Dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Bekim Baliqi tha se puna sociale është disiplina kryesore e përfshirë direkt në nevojat e shoqërisë dhe kontribuon për zhvillimin e saj. Shefi i Departamentit të Punës Sociale, prof. Avdyl Gashi, duke falënderuar sidomos studentët e profesorët ndërkombëtarë, tha se kjo javë do të jetë javë e punës së përbashkët, shkëmbimit të ideve dhe mësimit nga njëri-tjetri.

Pajtim Zeqiri nga Fondacioni „Terre des Homes” që mbështeti këtë ngjarje, teksa tregoi se kjo organizatë ka krijuar partneritet të fuqishëm me UP-në, tha se një nga qëllimet e „Javës Nderkombetare të Punës Sociale” është lidhja e teorisë me praktikën.

Pastaj profesoresha Njomza Llullaku prezantoi arritjet e Departamentit të Punës Sociale, duke treguar se më tepër se 80 studentë të tij kanë përfunduar një semestër në universitetet partnere ndërkombëtare nëpërmjet programeve e projekteve evropiane të shkëmbimit, ndërsa mbi 100 studentë nga vende tjera kanë ardhur në këtë departament që nga themelimi në vitin 2012.

Në fund, profesorëve ndërkombëtarë, organizatave donatore dhe zyrtarëve nga UP-ja, Fakulteti Filozofik dhe Zyra për Marrëdhënie me Jashtë, iu dhanë mirënjohje. Gjatë „Javës Ndërkombëtare  të Punës Sociale” do të zhvillohen shumë punëtori, në të cilat përvojën e tyre për tema sociale me shumë interes do ta shfaqin profesorë nga Holanda, Belgjika e Gjermania.