Nga masteri në BE te punësimi në Kosovë: Universiteti i Prishtinës prezanton Young Cell Scheme – Raundi XVI

Nga masteri në BE te punësimi në Kosovë: Universiteti i Prishtinës prezanton Young Cell Scheme – Raundi XVI

Administrator Administrator 18 shkurt 2026

Universiteti i Prishtinës, nëpërmjet Divizionit për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë të UP-së, organizoi më 11 shkurt 2026 një sesion informues për bursat master Young Cell Scheme – Raundi XVI, i cili u mbajt në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës „Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Ky sesion shërbeu si një mundësi e rëndësishme për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës për t’u informuar nga afër rreth procesit të aplikimit, kritereve të përzgjedhjes dhe përfitimeve që ofron programi Young Cell Scheme.

Sesioni u hap me fjalë mirëseardhjeje dhe prezantim të qëllimit të aktivitetit, duke vijuar me informata të përgjithshme rreth programit Young Cell Scheme. Prezantimi kryesor u mbajt nga prof. Nikolaus Panagiotou, ekspert i Programit Young Cell Scheme (YCS) në Kosovë, i cili paraqiti në mënyrë të detajuar Raundin XVI të programit.

“Angazhimi i studentëve dhe të diplomuarve, si dhe interesi i treguar për procesin e aplikimit dhe zhvillimin e karrierës profesionale, dëshmon për potencialin e lartë akademik dhe profesional që ky universitet ofron. Young Cell Scheme mbetet një instrument kyç për zhvillimin e kapaciteteve të reja dhe për forcimin e administratës publike të Kosovës, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me universitetet e Bashkimit Evropian,” theksoi prof. Nikolaus Panagiotou.

Gjatë sesionit u trajtuan:

  • mundësitë për studime master në universitetet e vendeve të Bashkimit Evropian,
  • fushat e studimit dhe universitetet partnere,
  • procesi i aplikimit, dokumentacioni i nevojshëm dhe kriteret e përzgjedhjes,
  • përfitimet e bursës dhe mbështetja financiare,
  • rrugëtimi nga aplikimi deri te punësimi pas kthimit në Kosovë.

Sesioni u përmbyll me një diskutim të hapur dhe pjesën me pyetje–përgjigje, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të adresojnë çështje konkrete lidhur me aplikimin dhe angazhimin profesional pas përfundimit të studimeve.

Gjatë sesionit, informata shtesë dhe rekomandime praktike rreth procesit të aplikimit u ofruan edhe nga përfaqësueset e YCS Kosovo në Prishtinë, znj. Violeta Ademi – menaxhere e Programit YCS Kosovo dhe znj. Arjeta Galimuna – zyrtare e Programit YCS Kosovo, që sqaruan aspektet kryesore të përgatitjes së aplikacionit dhe fazat e përzgjedhjes.

Po ashtu, të pranishmëve iu drejtua edhe znj. Andrra Nurkollari – EYCA Kosova Board Member, e diplomuar e programit Young Cell Scheme, e cila tregoi përvojën e saj të studimeve në Bashkimin Evropian dhe përfitimet profesionale pas kthimit dhe angazhimit në institucionet e Kosovës.

“Pjesëmarrja ime në programin Young Cell Scheme ka qenë një përvojë formuese, si në aspektin akademik, ashtu edhe në atë profesional. Studimet master në një universitet të Bashkimit Evropian më kanë mundësuar të zhvilloj kompetenca të avancuara, të fitoj perspektivë ndërkombëtare dhe të përgatitem për sfidat profesionale pas kthimit në Kosovë. Ky program jo vetëm që investon në arsimim cilësor, por krijon edhe mundësi reale për angazhim profesional dhe kontribut të drejtpërdrejtë në institucionet publike të vendit,” tha znj. Andrra Nurkollari.

Studentët pjesëmarrës e vlerësuan sesionin informues si një aktivitet të dobishëm dhe orientues. Enxhi Avdyli, studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, theksoi se sesioni kontribuoi për qartësimin e plotë të procesit të aplikimit dhe pritshmërive që lidhen me këtë program. “Sesioni informues për Young Cell Scheme ishte shumë i dobishëm dhe qartësues. Informacionet e prezantuara më ndihmuan të kuptoj më mirë procesin e aplikimit, kriteret e përzgjedhjes dhe mundësitë që ofron ky program për zhvillimin akademik dhe profesional. Ky aktivitet ishte një orientim i vlefshëm për studentët që synojnë të investojnë në të ardhmen e tyre përmes studimeve master në vendet e Bashkimit Evropian,” tha studentja Avdyli.

Young Cell Scheme - Raundi XVI është një program bursash i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës, i cili ofron bursa të plota për studime master në universitetet e vendeve të BE-së, si dhe punësim të garantuar për tre vjet në shërbimin civil të Kosovës pas përfundimit të studimeve.

Programi është i hapur për studentë dhe të diplomuar në fusha si integrimi evropian, juridiku, ekonomia, digjitalizimi, inxhinieria, administrata publike, diplomacia dhe fusha të ngjashme.

ℹ️ Informata shtesë:
Rules of Procedure YCS Round XVI

🌐 www.ycskosovo.org
📧 [email protected]

Sesioni informues u bashkëorganizua nga Divizioni për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë i Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me YCS Kosovo.