Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet UPHP-së dhe "Mercy College" nga SHBA
Studentët dhe stafi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nga tani e tutje do të mund të përfitojnë edhe nga mundësitë e shumta të cilat i ofron Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar ndërmjet UPHP-së dhe Kolegjit “Mercy” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me anë të këtij Memorandumi, të nënshkruar në Rektoratin e UPHP-së, universitetet në fjalë janë pajtuar që të krijojnë marrëdhënie bashkëpunuese dhe të zhvillojnë shkëmbime kulturore dhe akademike, si dhe aktivitete të tjera varësisht interesave të përbashkëta të palëve nënshkruese.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema u shpreh shumë i lumtur për nënshkrimin e këtij Memorandumi të Mirëkuptimit. Memorandumi, sipas tij, do t’i shërbejë shumë studentëve, por do të jetë edhe një hap tutje në rrugëtimin drejtë ndërkombëtarizmit të UPHP-së.

Edhe përfaqësuesja nga Mercy College, znj. Sheila Offman Gersh e konsiderojë Memorandumin si një mundësi të mirë për studentët dhe stafin e të dyja universiteteve. Ajo, ndër të tjerash, falënderoi menaxhmentin e UPHP-së për pritjen që i kanë bërë delegacionit nga Mercy College.
Memorandumi në fjalë parasheh bashkëpunim të universiteteve në projekte shkencore hulumtuese, shkëmbime në kuadër të fakulteteve, promovim të mobiliteteve studentore, shkëmbim të literaturës, organizim të përbashkët të konferencave, seminareve, simpoziumeve dhe ekspozitave, e të tjera aktivitete akademike dhe kulturore.
