Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe InnoPark Konya Technology Development Zone

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe InnoPark Konya Technology Development Zone

Administrator Administrator 17 nëntor 2025 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës dhe  Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) nënshkruan të premten më 14 nëntor 2025 një memorandum bashkëpunimi me InnoPark KonyaTechnology Development Zone nga Turqia. 

Marrëveshja parasheh zhvillimin e përbashkët të projekteve kërkimore dhe inovative, promovimin e programeve arsimore ndërinstitucionale me universitetet partnere të InnoPark, organizimin e aktiviteteve të trajnimeve, shkëmbimeve akademike për stafin dhe studentët, si dhe mbështetjen e nismave për projekte të përbashkëta dhe zhvillim të qëndrueshëm teknologjik.

Ky bashkëpunim strategjik përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik në fushën e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike.

Në këtë marrëveshje, Universiteti i Prishtinës u përfaqësua nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), prof. Isak Shabani, ndërsa nga InnoPark KonyaTechnology Development Zone nga Turqia marrëveshjen e nënshkruan kryetari i Bordit, z. Mustafa Büyükegen dhe drejtori i përgjithshëm i InnoPark, prof. Ali Kahraman.

Marrëveshja synon edhe forcimin e bashkëpunimit akademik, industrial dhe shkencor ndërmjet institucioneve nënshkruese. 

InnoPark Konya Technology Development Zone nga Turqia ofron infrastrukturë dhe shërbime mbështetëse për të nxitur inovacionin, prodhimin dhe eksportin e produkteve të teknologjisë së lartë, ndërsa ka partneritet me shtatë universitete dhe sektorin privat turk. 

Me këtë marrëveshje, ato që tashmë po zbatohen dhe të tjerat që do të vijnë, Universiteti i Prishtinës vazhdon të forcojë rrjetin e tij ndërkombëtar të partneriteteve akademike dhe kërkimore, duke synuar rritjen e cilësisë dhe inovacionit në arsimin e lartë dhe mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit të rrjetit të partnerëve ndërkombëtarë dhe forcimit të rolit të tij si qendër e dijes, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.