Në UPHP diskutohet për diplomacinë dhe shkëmbimet universitare

Administrator Administrator 3 maj 2018 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mirëpritur në Sallën e Senatit këtë të mërkure z. Eric Leyvraz - kryetar i Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës dhe z. Tahir Shabani - president i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare, si ligjërues në konferencën ku temë bosht ishte diplomacia. Temat e këtij diskutimi ishin “Roli i diplomacisë parlamentare në Gjenevë" dhe "Diplomacia kulturore dhe shkëmbimet universitare - arsimore në Evropë".

Kjo konferencë, e cila si audiencë ishte studentët dhe stafin akademik nga Fakulteti Juridik, Ekonomik dhe Filozofik, synonte t’i njoftonte ata edhe më shumë me rolin e diplomacisë në botë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” potencoi që “konferencat e tilla janë sinjal se ndërkombëtarizimi i Universitetit po bëhet me hapa të mëdhenj dhe të sigurtë, duke krijuar miq të fuqishëm dhe të respektuar anembanë globit”. Po ashtu, sipas tij, kjo është një dëshmi që përkundër sfidave të përditshmërisë, kemi një Universitet cilësor, i cili nuk rresht se shënuari suksese, disa prej të cilave Rektori Dema i numëroi gjatë fjalimit të tij.

“Me lejoni që të ju informoj që Universiteti i Prishtinës kohëve të fundit ka arritur që të bëhet anëtar i shumë asociacioneve rajonale dhe ndërkombëtare, ka nënshkruar mbi 360 marrëveshje bashkëpunimi me universitete me traditë dhe rang të lartë ndërkombëtar, ka hapur e funksionalizuar një numër të madh të zyrave e qendrave, të cilat veçse kanë filluar të shfaqin sukseset e tyre, duke shënuar kështu një varg me suksese në të gjitha aspektet e funksionimit të tij”, është shprehur Dema.

Dema falënderoi shumë z. Leyvraz dhe z. Shabani për kohën që kanë ndarë për t’iu ligjëruar studentëve dhe stafit të UPHP-së, për çka në fund të ligjëratave të tyre i shpërbleu me mirënjohje folësit.

Z. Eric Leyvraz u shpreh shumë i lumtur me prezencën e tij në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në ligjëratën e tij, ku foli përgjithësisht lidhur me diplomacinë parlamentare në Gjenevë, ai tregoi për rolin madhor që ka luajtur diplomacia në zhvillimin e Gjenevës dhe Zvicrës, duke folur për sukseset dhe krenaritë më të mëdha të vendit të tij. Në fund të ligjëratës së tij, ai falënderoi stafin e UPHP-së për pritjen që i kanë bërë, duke potencuar që së shpejti shpreson që UPHP të lidh marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Gjenevës, që bashkëpunimi Kosovë – Zvicër të thellohet edhe më tepër në vazhdimësi.

Ndërkaq presidenti i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare, z. Tahir Shabani tha se Universiteti i Gjenevës ka 450 vite eksperiencë dhe kjo eksperiencë e saj do të ndihmonte shumë Universitetin e Prishtinës për bashkëpunime dhe shkëmbime të praktikave universitare.

Përveç studentëve dhe stafit akademik, të pranishëm në këtë ligjëratë ishin: zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Burbuqe Bakija – Deva, anëtarë të Këshillit Drejtues dhe prorektorë të UPHP-së.