Në UP, mbahet Olimpiada e Matematikës së Kosovës
Në mjediset e fakulteteve teknike të Universitetit të Prishtinës është duke u mbajtur Olimpiada e Matematikës së Kosovës.
Olimpiada e matematikës në Kosovë, aktualisht është gara finale e nxënësve parauniversitarë në këtë fushë.
Olimpiadën e ka përshëndetur rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi.
Të pranishëm në Olimpiadë ishin edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ministrja e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, znj. Arbërie Nagavci dhe dekani i FIEK-ut, prof. Isak Shabani.
Rektori ka delaruar se UP-ja ka qenë mbështetësi kryesor i garave matematikore të nxënësve parauniversitarë që nga viti 1983. Ai ka riparaqitur përkushtimin dhe vizionin institucional për t’i shërbyer ambicies kolektive për ekselencë akademike në terma bashkëkohorë, të matshëm nga tregues të njësuar në mbarë botën e zhvilluar.
Por ekselencën akademike universitare dhe atë parauniversitare, po ashtu, duhet ta sendërtojmë duke pasur një vizion të qartë për nevojën e ngutshme për rritjen e nivelit të arsimimit në vendin tonë, në mënyrë që pozita jonë në ranglista të jetë aty ku kanë ëndërruar gjenerata të tëra dhe aty ku kemi potencialin të qëndrojmë dinjitetshëm e dallueshëm për ekselencë, sidomos në rajon, është shprehur, përveç tjerash, rektori Qerimi.
Olimpiada organizohet nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, të cilën e drejton Prof. Valdete Rexhëbeqaj Hamiti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së.