Në UP, mbahet konferenca STEMinist
Në ambientet e Universitetit të Prishtinës është mbajtur konferenca e parë STEMinist, e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës.
Fjalë rasti në këtë konferencë ka adresuar rektori Qerim Qerimi, me ç’rast tha se historia është e mbushur me gra të jashtëzakonshme, që kanë thyer barrierat dhe kanë rrënuar stereotipat.
“Fatmirësisht, ne kemi lajme që na japin shpresë dhe na mrekullojnë kur kuptojmë se në këtë godinë, në të cilën jemi mbledhur sot, në fushat e inxhinierisë kompjuterike, kemi vajzat që përbëjnë shumicën e komunitetit studentor, një e dhënë empirike që tejkalon në margjina të larta dhe mesataret e kësaj përbërjeje në kontinentin tonë dhe përtej Atlantikut”, tha Qerimi.
Punimet e konferencës STEMinist i përshëndeti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Jo vetëm si feminist, por tash edhe si STEMinist, është detyra jonë të avokojmë e të angazhohemi për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në STEM dhe të punojmë për një shoqëri dhe shtet, ku çdo person, pavarësisht nga gjinia, ka mundësi t’i ndjekë ëndrrat”, tha ai.
Për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në STEM folën edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Arnhild Spence, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Myzafere Limani, drejtoresha e Institutit për Fotonikë dhe Nanoteknologji, Caterina Vozzi.
Pas fjalimeve përshëndetëse, vijuan sesionet e konferencës, pjesë e të cilave ishte edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Arta Basha-Jakupi. Ajo theksoi se në Universitetin e Prishtinës nuk ka kufizime gjinore, që do të dekurajonin vajzat dhe gratë të studionin në fakultetet teknike, ndërkaq listoi mundësitë e shumta që UP-ja ofron për të rejat që dëshirojnë të studiojnë në fushat STEM.
UP-ja ka një numër të madh të programeve studimore në kuadër të fushës STEM, në të cilat, pjesa dërrmuese e studentëve janë vajza dhe gra.