Në takimin “Diskutim & Kafe me Rektorin” diskutohet rreth kampusit të UP-së

Administrator Administrator 19 prill 2019 Arkivuar

Në hapësirën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u mbajt takimi i katërt në kuadër të aktivitetit “Diskutim & Kafe me Rektorin”.

Studentët nga njësi të ndryshme akademike të UP-së, u pritën nga rektori prof. dr. Marjan Dema, prorektorja për buxhet financa prof. dr. Myrvete Badivuku, prorektorja për zhvillim dhe cilësi, prof. asoc. dr. Merita Berisha dhe asistentja Blerta Dibrani, me ç’rast studentët shpalosën idetë e tyre për kampusin e ëndrrave.

Për realizimin e tyre, i pari i UP-së premtoi se do të bëjë çdo gjë që është e mundur.
“Arsyeja se pse vazhdojmë të mbajmë takime të tilla është që edhe komuniteti të merr pjesë në këto ndryshime. Duhet që të kultivojmë kulturën që secili mund të kontribuojmë në ndryshimin e institucionit tonë. Andaj, idetë e juaja ne i marrim me seriozitet dhe do punojmë që t’i realizojmë ato”, tha Dema.

Kërkesat e shtruara nga ana e studentëve ishin: mbjellja e pemëve, ndriçimi i kampusit, shfaqja e filmave e aktivitete të tilla që do të ngjallnin më shumë jetën studentore brenda kampusit të UP-së.

E në anën tjetër, studenti i vitit të parë në Fakultetin e Mjekësisë, Aureol Zeqiri, falënderoi rektorin Dema për organizmin, duke shtuar që përvoja e tij në UP është shumë më pozitive sesa pritshmëritë e tij para së të ishte pjesë e UP-së.

“Diskutim & Kafe me Rektorin”, tashmë është shndërruar në takim të përmuajshëm, përmes së cilit Dema  synon që të qëndrojë më afër kërkesave të studentëve.