Në Qendrën e Gjuhëve të UP-së kultura dhe tradita japoneze prezantohen me tërë shkëlqimin e tyre

Në Qendrën e Gjuhëve të UP-së kultura dhe tradita japoneze prezantohen me tërë shkëlqimin e tyre

[email protected] 16 maj 2026

Në një organizim të Qendrës së Gjuhëve të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me Fondacionin Japonez në Budapest dhe Ambasadën e Japonisë në Kosovë, u dhanë informata të hollësishme për mundësitë e studimit në Japoni dhe testin ndërkombëtar të gjuhës japoneze (JLPT).

Në këtë ngjarje u promovuan edhe elementet dalluese të kulturës e traditës japoneze, si veshja tradicionale kimono që përdoret në ceremoni festive, kultura e origamit, letrave të palosura në forma të ndryshme dhe u zhvillua një orë hyrëse e gjuhës japoneze.

Nëpër trashëgiminë dhe peizazhet natyrore japoneze, studentëve u priu përfaqësuesja e Fondacionit Japonez në Budapest, Ayaka Kishino me anë të video-projeksioneve, kuizit dhe muzikës japoneze. Bashkë me të nga ky fondacion erdhën edhe drejtori, z. Masanori Takaguchi dhe këshilltari i lartë i gjuhës japoneze, z. Yasuhiro Yashima.

Të pranishmit i përshëndeti koordinatorja e Qendrës së Gjuhëve në UP, profesoresha, Linditë Sejdiu. Një fjalë rasti e mbajti edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki. I veshur me një kimono të quajtur „Happi”, ai tregoi shkurt disa nga veçantitë e vendit të tij.

Universiteti i Prishtinës bashkëpunon në vazhdimësi me universitete, profesorë dhe organizata japoneze.

Në qershor të vitit 2025 Universiteti i Prishtinës, i akordoi titullin e lartë „Doctor Honoris Causa” profesorit Hisashi Owada për kontributin e jashtëzakonshëm akademik, si dhe angazhimin jetësor në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale.

Në edicionin e 24-rt të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, të zhvilluar në korrik të vitit të kaluar, pjesë e kurseve ishin edhe dy profesorë japonezë.

Edhe Qendra e Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë ofron kurse të gjuhës japoneze, derisa në Bibliotekën Qendrore Universitare funksionon edhe Këndi Japonez i Librit.