Në njëvjetorin e luftës në Ukrainë, ambasadori amerikan, Hovenier, mban ligjëratë para studentëve të UP-së

Në njëvjetorin e luftës në Ukrainë, ambasadori amerikan, Hovenier, mban ligjëratë para studentëve të UP-së

Blerta Dibrani 24 shkurt 2023 Arkivuar

Në njëvjetorin e agresionit rus në Ukrainë, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka vizituar Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ka mbajtur ligjëratë para studentëve të këtij fakulteti. Mirëseardhje në Universitetin e Prishtinës i uruan rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, dhe dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Avni Puka.

Rektori Qerimi tha se, ashtu si studentët, pret me entuziazëm për të dëgjuar ligjëratën e ambasadorit Hovenier për një temë kaq themelore për një rend të bazuar në rregulla në Evropë dhe më gjerë. “Të qenët në një shkollë juridike e bën atë një vend ideal për të folur për sulmin ushtarak të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare, i cili filloi pikërisht një vit më parë, më 24 shkurt 2022”, tha ai.


Rektori shtoi se agresioni i pakuptimtë dhe brutal ka marrë jetë të panumërta njerëzore dhe ka shkaktuar vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore në Ukrainë. “Në këtë mënyrë, janë kryer shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut. Pasi i ka përjetuar ato vetë, Kosova është një nga vendet e para të Ballkanit Perëndimor që ka lidhur politikën e saj të jashtme me miqtë dhe aleatët e saj perëndimorë kundër agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës.”

Ndërkaq, dekani Puka theksoi që ky vit paraqet një vit të rënd e të vështirë për Ukrainën dhe botën demokratike. "Sot, kujtojmë ata që kanë humbur jetën dhe nderojmë qëndresën e atyre që luftojnë për lirinë e vendit të tyre, për botën demokratike. Ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës", tha ai.

Tutje, në mbyllje të eventit, dekani Puka tha se shpreson që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe drejtësia të merret me krimet kundër njerëzimit të kryera nga Rusia.

Ambasadori Hovenier, në ligjëratën e tij për studentët e drejtësisë dhe ligjit në UP, vlerësoi pozicionin e Kosovës karshi pushtimit rus në Ukrainë. “Kosova është bërë shtëpi për ukrainasit - aktualisht janë rreth 12 gazetarë që janë vendosur këtu. Ju keni qëndruar përkrah nesh lidhur me regjimin e sanksioneve. Keni dhënë aq sa keni pasur mundësi – rroba, kampanja për ngritje të fondeve e shumëçka tjetër. Këto veprime mund të duken akte të vogla, por kur bashkohen me të tjerat – krijojnë diçka shumë të madhe”, theksoi ambasadori Hovenier.

Ai ftoi për unitet, duke shtuar që vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat që na presin. “Ne u jemi mirënjohës për miqësinë tuaj, i jemi mirënjohës popullit të Kosovës, për këtë që po e bëni. Gjithçka është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta”, shtoi ambasadori Hovenier.