Në King’s College London Universiteti i Prishtinës nënshkruan Magna Charta Universitatum

Në King’s College London Universiteti i Prishtinës nënshkruan Magna Charta Universitatum

Administrator Administrator 19 nëntor 2025 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës ka riafirmuar në mënyrë solemne përkushtimin e tij ndaj vlerave themelore të arsimit të lartë duke nënshkruar Magna Charta Universitatum 2020 (MCU2020). Dokumenti u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, gjatë Konferencës së 2025 Magna Charta Observatory, e mbajtur më 11 – 13 nëntor 2025 në King’s College London. Universiteti i Prishtinës në këtë Konferencë, u përfaqësua nga Rektori Hajrullahu dhe Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbime Akademike, Prof. Rozafa Basha.

Ky moment përbën një hap të rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës. Institucioni e kishte nënshkruar për herë të parë Magna Charta Universitatum të vitit 1988 në vitin 2003, ndërsa versionin e përditësuar MCU2020 e kishte nënshkruar në mënyrë virtuale në vitin 2021 si pasojë e kufizimeve të pandemisë COVID-19. Ceremonia e vitit 2025 shënon kështu nënshkrimin fizik të MCU2020 nga Universiteti i Prishtinës, duke theksuar përkushtimin e tij të rinovuar ndaj këtyre parimeve.

Magna Charta Universitatum, e nënshkruar për herë të parë në vitin 1988 nga 388 drejtues universitetesh me rastin e 900-vjetorit të Universitetit të Bolonjës, artikulon parimet themelore të lirisë akademike dhe autonomisë institucionale. Ajo mbetet një nga dokumentet më me ndikim në nivel global për drejtimin dhe misionin e universiteteve. Në vitin 2020, pas një procesi të gjerë konsultimi ndërkombëtar, dokumenti u përditësua për të reflektuar zhvillimet bashkëkohore në arsimin e lartë, duke ruajtur vlerat themelore të versionit origjinal të tijë. Teksti i përditësuar njeh rolin gjithnjë e më global të universiteteve dhe përgjegjësitë e tyre ndaj shoqërisë.

Konferenca e sivjetshme, e organizuar nga King’s College London në bashkëpunim me Magna Charta Observatory, u zhvillua nën temën: ,,Për çfarë shërbejnë universitetet? Parimet, vlerat dhe përgjegjësitë e arsimit të lartë në një botë të fragmentuar”. Gjatë tre ditëve, drejtues universitetesh, studiues, politikëbërës dhe studentë nga e gjithë bota morën pjesë në ligjërata, diskutime, prezantime rastesh dhe sesione interaktive mbi lirinë akademike, autonominë institucionale, përgjegjësinë publike, angazhimin e studentëve dhe misionin bashkëkohor të universiteteve.

Ngjarja u përmbyll me ceremoninë e nënshkrimit në kapelën historike të King’s College London, ku nënshkrues të rinj formalizuan mbështetjen e tyre për Magna Charta Universitatum 2020. Me këtë nënshkrim të këtij dokumenti të rëndësishëm, Universiteti i Prishtinës riafirmon përkushtimin e tij ndaj vlerave të qëndrueshme të lirisë akademike, autonomisë institucionale dhe shërbimit ndaj shoqërisë, duke forcuar rolin e tij në komunitetin global të arsimit të lartë dhe duke theksuar angazhimin ndaj parimeve të njohura ndërkombëtarisht të botës akademike.