Në hapësirat e UP-së po mbahet konferenca ndërkombëtare që dokumenton krimet e luftës
Në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare nisi konferenca e dytë ndërkombëtare e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë që sivjet do t’i dokumentojë në mënyrë shkencore traumat që përjetoi populli i Kosovës gjatë viteve 1998 —1999.
Në fjalët hyrëse të konferencës me titullin „From War to Recovery: A Multidisciplinary Aproach Towards Kosovo’s War Trauma”, u konstatua se nuk mund të ketë paqe të plotë e as fitore të njerëzores e njerëzimit në Kosovë, pa ndëshkimin e autorëve të krimeve të luftës.
Dokumentimi shkencor i krimeve të luftës të kryera në Kosovë në fund të viteve ’90, u cilësua shumë i nevojshëm dhe jetik, sidomos pasi fqinji verior, Republika e Serbisë, që shkaktoi këto tmerre, nuk po përballet më të kaluarën, por përkundrazi po glorifikon edhe të dënuarit e saj për krimet e kryera në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Në raste të tilla u tha se dokumentimi i krimeve të luftës me metodologji shkencore dhe fakte të pakundërshtueshme, pamundëson tendencat për ripërsëritjen e tyre dhe harrimin e të këqijave që ndodhën. Folësit shprehën bindjen se i tërë procesi i dokumentimit nuk bëhet për të mbetur në të kaluarën, por për të pasur një të ardhme më të sigurt e më të ndritshme.
Në hapje të konferencës, para të pranishmëve, studiues vendas e ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve më të larta të vendit dhe atyre shkencore e akademike, foli rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu. Fjalë rasti mbajtën edhe drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, prof. Atdhe Hetemi dhe Kryeministri Albin Kurti.
Konferenca që do të vazhdojë deri më 20 shkurt, do të trajtojë aspekte të ndryshme të krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998 — 1999 dhe traumat e përfituara nga ngjarjet e tilla. Gjithashtu do të flasin edhe disa nga të mbijetuarit e masakrave që ndodhën anembanë vendit.
Edhe nga kjo konferencë do të dalë një libër me punimet shkencore të publikuara gjatë saj, që sivjet do të redaktohet nga dr. Catherine Althaus dhe dr. Blerina Kellezi. Nga konferenca e parë e vitit të kaluar, tashmë ka dalë libri që ishte redaktuar nga profesori Aidan Hehir dhe asistentja në Universitetin e Prishtinës, Furtuna Sheremeti.