Në Ditën e Tokës, pastrohet kampusi i UPHP-së dhe mbillen 100 fidane
Dita e Tokës, 22 prilli, u shënua me disa aktivitete në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ndër të tjerash u bë pastrimi i kampusit të Universitetit dhe mbjellja e 100 fidanëve.
Në konferencën hapëse të këtyre aktiviteteve, organizuar nga UPHP, Komuna e Prishtinës, VentureUP dhe disa organizata të tjera, Rektori i UPHP-së, prof. dr. Marjan Dema u shpreh i lumtur që Universiteti i Prishtinës është duke e kryer një ndër obligimet e tij, që të jetë sa më afër qytetarëve.
“Me aktivitetet e parapara sot, dëshirojmë të përçojmë mesazhin se Universiteti është vërtet mik i tokës, ashtu siç duhet të jetë çdo qytetarë. Me këtë iniciativë, po ashtu, shpresoj të bëjmë një hap tutje në promovimin e misionit të shërbimit për komunitetin, objektivë kjo e mishëruar në vetë misionin e Universitetit tonë, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend”, tha Dema.
Dema uroi që ky aktivitet të shndërrohet në tradicional, ku studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me personelin, të mblidhen, diskutojnë dhe planifikojnë mënyra se si të jemi sa më të kujdesshëm ndaj hapësirës ku veprojmë.

I pranishëm në konferencën hapëse ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti. Ai falënderoi Rektorin për bashkëpunimin, si dhe paralajmëroi iniciativën e mbjelljes së 38 mijë drunjëve gjatë këtij viti në Komunën e Prishtinës.
Mbjellja e drunjëve u pasua me aktivitete të shumta në hapësirën e kampusit të UPHP-së, ndër të tjerash u organizuan disa lojëra, u mbajtën diskutime për rëndësinë e kujdesit ndaj tokës, ku u shpërndanë falas pije dhe ushqim për pjesëmarrësit.
Këto aktivitete të cilat u mbajtën nën moton “Bëhu edhe ti mik i Tokës”, u organizuan nga Komuna e Prishtinës, Universiteti i Prishtinës, Venture UP, Let’s do it Kosova, Toka, e shumë OJQ të tjera.