Në Ditën e Tokës, kampusi universitar bëhet me 30 drurë të rinj

Administrator Administrator 23 prill 2019 Arkivuar

Studentët dhe stafi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u bënë bashkë për të mbjellë 30 drurë dhe për të pastruar kampusin e UP-së, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Tokës.

Nën moton “Gjelbëro UP-në”, ky aktivitet u organizua nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës dhe u mbështet nga organizata “Let’s do it Kosova” dhe Komuna e Prishtinës. 

Prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku-Pantina, tha se ky aktivitet është simbolik dhe synon të përçojë mesazh për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit ku jetojmë.
“Me aktivitetet e parapara sot, dëshirojmë të përçojmë mesazhin se UP-ja është i përkushtuar për ruajtjen e ambientit. Me këtë iniciativë shpresojmë të bëjmë një hap tutje edhe në promovimin e misionit tonë si universitet në shërbim të komunitetit”, tha prorektorja Badivuku–Pantina.

Për aktivitetet e parapara në kampusin e UP-së folën edhe Besnik Shabiu nga organizata “Lets do it Kosova” dhe Fatbardha Mehmetukaj nga Komuna e Prishtinës, të cilët qenë mbështetësit kryesorë në këtë organizim.

Aktivitetet për shënimin e Ditës së Tokës në UP vijuan me hapjen e ekspozitës së studentëve nga Fakulteti i Edukimit dedikuar kësaj dite. Në hollin e fakultetit, studentët prezantuan punimet e tyre për ruajtjen e mjedisit, të punuar në kuadër të lëndës “Metodologji e Artit” me profesor Haki Xhaklin dhe asistent Faton Mazrekajn.