Në Ditën e Mësuesit ndahen certifikatat për përfituesit e trajnimit “Planifikimi dhe Implementimi i Mësimdhënies në Arsimin e Lartë”
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsit, ka ndarë certifikatat për stafin që ka përfunduar me sukses trajnimin “Planifikimi dhe Implementimi i Mësimdhënies në Arsimin e Lartë”, niveli bazik, të organizuar nga Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit të Prishtinës.
Rektori Qerimi tha se arsyeja e takimit sot shkon përtej simbolikës së dorëzimit të certifikatës. “Kjo ceremoni po organizohet edhe si shenjë simbolike e falënderimit për punën që jeni duke e bërë çdo ditë, për avancim të mësimdhënies. 7 Marsi – Dita e Mësuesit, dita e juaj dhe e jona, sidomos e atyre që vijnë nga Fakulteti i Edukimit dhe atyre që ju i përgatisni për punë dhe treg është e rëndësisë së veçantë për ne”, theksoi rektori para të pranishmëve. Ai i falënderoi trajnerët e qendrës dhe të gjithë ata që janë përfshirë në procesin e trajnimeve në QPM, për punën e bërë për përsosmërinë e mësimdhënies.

Gjatë kësaj ceremonie, për kontributin e dhënë për avancimin e mësimdhënies përmes shërbimit në Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie, janë shpërblyer me mirënjohje nga ana e rektorit, prof. dr. Demë Hoti dhe prof. dr. Shykrane Gërmizaj, të dy ish-drejtorë të Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie.
Ndërkaq, përfituesit nga trajnimi i përgëzoi edhe shefja e QPM-së, prof. dr. Eda Vula, e cila njëherësh falënderoi bashkëpunëtorët për punën e realizuar për të avancuar tutje misionin e Qendrës.
Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie, në mënyrë të vazhdueshme, ofron trajnime për stafin akademik të UP-së, por edhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë, siç janë Universiteti “Ukshin Hoti”, Universiteti “Isa Boletini” dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara. Që nga themelimi i QPM-së, janë trajnuar më shumë se 2000 anëtarë të stafit akademik, ndërkaq, vetëm në 5 vitet e fundit janë trajnuar dhe certifikuar rreth 1050 përfitues.