Në Ditën e Fëmijëve, rektori Qerimi dhe kryeministri Kurti diskutojnë rreth projektit për memorializim të fëmijëve të vrarë në luftë

Në Ditën e Fëmijëve, rektori Qerimi dhe kryeministri Kurti diskutojnë rreth projektit për memorializim të fëmijëve të vrarë në luftë

Blerta Dibrani 1 qershor 2023 Arkivuar

Më 1 qershor – në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin ka diskutuar rreth procesit të projektit për konsultimin dhe hartimin e dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Në këtë takim, Kurti shoqërohej nga ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, ndërkaq të pranishëm nga ana e UP-së ishin edhe prorektorja Njomza Llullaku, dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, dhe profesorët Durim Abdullahu dhe Erëblir Kadriu, të përfshirë në projektin në fjalë.

Për progresin e projektit informoi rektori Qerimi. Ai tha që janë rekrutuar studentët për realizim të intervistave me familjarë, si dhe janë zhvilluar intervistat e para, nga qindra sa planifikohen të realizohen. “Me përfshirjen në këtë projekt, UP-ja e ofron ekspertizën dhe kontributin e saj në një çështje shumë të ndjeshme për vendin. Kjo është më e pakta që mund të bëhet për fëmijët e vrarë, të cilët nuk e kanë pasur rastin të festojnë shumë 1 Qershore, e të cilët, përmes këtij projekti, do të kujtohen në përjetësi,” tha Qerimi.

Kryeministri Kurti tha se ky projekt prek një çështje tejet të ndjeshme për të gjithë ne, ndërkaq e vlerësoi UP-në për angazhimin e shfaqur në këtë projekt. “Është detyrë e secilit prej nesh, që të kujtojmë e të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, që e vërteta të dalë në pah për të gjitha jetët e humbura të fëmijëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë”, tha Kurti, duke i falënderuar studentët dhe profesorët për punën që po e bëjnë.

Lidhur me projektin foli edhe profesori Durim Abdullahu. Ai tha se ky projekt është mirëpritur nga familjarët, ndërkaq propozoi edhe disa nga format përmes të cilave mund të memorializohen fëmijët e vrarë, përfshirë krijimin e ndonjë qendre përkujtimore/ dokumentuese, ndërtimin e një parku apo edhe të ndonjë lapidari, apo edhe përfshirjen e përjetimeve të fëmijëve e familjarëve në kurrikulat shkollore.

Përfshirjen në këtë projekt e komentuan edhe studentët e pranishëm. Albin Halimi, student i departamentit të Historisë, tha se dokumentimi me rrëfime të dorës së parë është i domosdoshëm për hulumtime të tilla dhe kjo përvojë është shumë e vlefshme për të dhe kolegët e tij.

Projekti për konsultimin dhe hartimin e dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë synon të ruajë tregimet dhe të dokumentojë përjetimet reale të të mbijetuarve, të dëshmitarëve dhe të familjarëve të fëmijëve që janë vrarë, janë zhdukur apo kanë vdekur si rezultat i luftës në Kosovë.