Në Bibliotekën Qendrore Universitare të UP-së përurohet Këndi Japonez i Librit

Në Bibliotekën Qendrore Universitare të UP-së përurohet Këndi Japonez i Librit

Administrator Administrator 9 dhjetor 2025 Arkivuar

181 libra në gjuhën angleze të historisë, letërsisë, politikës, kulturës dhe trashëgimisë së Japonisë do të përbëjnë Këndin Japonez të Librit që u përurua solemnisht në hapësirën e Bibliotekës Qendrore Universitare që gjendet aktualisht në ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare „Pjetër Bogdani”.

Gjatë fjalëve hyrëse u vlerësua lart bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe Japonisë, si dhe vetë Kosovës dhe Japonisë, ndërsa u tha se me miqtë japonezë gjithnjë mund të bëhen punë të mira. U konstatua gjithashtu se librat janë miqtë më të mirë të njeriut që kurrë nuk tradhtojnë, derisa u bë e ditur se në të ardhmen këtyre librave do t’u shtohen edhe libra tjerë.

Përfaqësuesit e Ambasadës së Japonisë shprehën mirënjohje të thellë për kontributin e Universitetit të Prishtinës dhe udhëheqësve të tij në avancimin e bashkëpunimit akademik, në forcimin e marrëdhënieve miqësore mes Japonisë dhe Kosovës, si dhe veçanërisht për nderimin e profesorit dhe juristit me renome botërore në të drejtën ndërkombëtare, Hisashi Owada, me titullin “Doktor Nderi”.

Zotëri Owada u nderua nga Universiteti i Prishtinës më 18 qershor 2025 me titullin „Doctor Honoris Causa”. Edhe në edicionin e 24-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës që u zhvillua në korrik të vitit 2024, morën pjesë dy profesorë japonezë.

Përurimin e sotëm të këndit japonez të librit e përshëndetën me fjalët e tyre i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, shkëlqesia e tij, Hiroyasu Tanigaki, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe kryesuesja e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Qendrore Universitare, prof. Arlinda Bytyqi-Damoni. Pastaj ceremonia solemne e pranim-dorëzimit të librave u bë nga z. Tanigaki dhe rektori Hajrullahu.

Të pranishëm në këtë ngjarje nga ambasada e Japonisë ishin edhe sekretari i parë i saj, z.Ken Takeda, këshilltari për çështje politike dhe sekretariat, z. Arbër Myftari dhe zyrtarja konsullore për çështje administrative dhe marrëdhënie me publikun, Drita Laura Hyseni ndërsa UP-në e përfaqësoi edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.

Ideja për këndin japonez të librave lindi vitin e kaluar, në tetor të vitit 2024 kur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës erdhën për vizitë i ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë, Keisuke Yamanaka dhe përfaqësuesi i „Tokyo Foundation Policy Research”, Riaki Tanaka. Librat e këndit japonez u dhuruan nga ky fondacion në kuadër „Read Japan Project”.