Ndahet nga jeta akademik Rexhep Qosja: Universiteti i Prishtinës ngushëllon të pikëlluarit
Sot në moshën 89 vjeçare është ndarë nga jeta akademiku Rexhep Qosja, profesori, shkrimtari, historiani i letërsisë dhe veprimtari i shumë proceseve të arsimimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Universiteti i Prishtinës ngushëllon profesorët e studentët dhe mbarë popullin e Kosovës për këtë humbje.
Akademik Rexhep Qosja lindi në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, ku i mori mësimet e para e pastaj diplomoi në Shkollën Normale në Prishtinë, për të kryer më pas edhe studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe që atëherë funksiononte në kuadër të Fakultetit Filozofik.
Njëri nga personalitetet më të njohura të Kosovës dhe viseve me shqiptarë gjithandej, akademik Rexhep Qosja, ishte edhe profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit Albanologjik nga viti 1972 deri në vitin 1981.
Akademik Rexhep Qosja la të shkruara mbi 30 libra, ndër të cilat edhe romanin e tij të njohur „Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Shkroi gjithashtu edhe shumë artikuj, studime e kritikë letrare, vështrime publicistike e polemike në shtypin e kohës dhe revistat letrare e shkencore.
Në vitin 1999, akademik Qosja u nderua në Shqipëri me titullin „Nderi i Kombit”.