Mundësitë për studentët nga komunitetet joshumicë
Kryesuesi dhe anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete në Zyrën e Presidentes, në një takim me drejtues të Universitetit të Prishtinës u informuan në detaje për proceset, garancitë e shkollimit dhe masat afirmative për studentët nga komunitetet joshumicë.
Rektori, prof.Arben Hajrullahu, bashkë me prorektoren për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, pritën kryesuesin e Këshillit Konsultativ për Komunitete, Izudin Sadgatin që është edhe përfaqësues i bashkësisë etnike boshnjake, anëtarin e Grupit Punues për Çështje të Arsimit në këtë Këshill, Bajram Ilazin dhe koordinatorin për të drejtat e komuniteteve në Sekretariatin e Këshillit, Zijush Ahmetin.
Në takim, u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit të studentëve nga komunitetet joshumicë në UP, në kohën kur tashmë është hapur konkursi i afatit plotësues për pranimin e studentëve në vitin akademik 2025/’26 dhe për të gjitha çështjet tjera që lidhen me arsimin e lartë dhe integrimin në sistemin arsimor të Kosovës të të gjitha grupeve etnike të vendit.
Rektori Hajrullahu u bëri thirrje përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve në Këshillin Konsultativ që ta vizitojnë UP-në, derisa i ftoi studentët nga komunitetet joshumicë që të ngrenë pa hezitim çdo vështirësi të mundshme që mund ta kenë.
Këshilli Konsultativ për Komunitete që vepron nën autoritetin e Presidentes së Republikës së Kosovës është një mekanizëm për shkëmbimin e rregullt të informatave dhe u jep mundësi komuniteteve që të komentojnë nismat legjislative në fazat e tyre të hershme. Në këshill, komuniteti serb përfaqësohet me pesë persona, nga 3 i kanë komunitetet boshnjake e turke, ndërsa komunitetet rome, ashkalinje, egjiptiane, gorane, malazeze e kroate i kanë nga dy përfaqësues.
Ditëve të fundit, rektori Hajrullahu për të gjitha temat e trajtuara sot, ka zhvilluar takime edhe me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, përfaqësues të organizatës VORAE dhe një deputet të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Në UP 12 për qind e vendeve të lira për studentë të rinj janë të rezervuara për këto komunitete.
Universiteti i Prishtinës, duke respektuar kriteret e përcaktuara të shkollimit dhe avancimit akademik, është i përkushtuar të ndihmojë me të gjitha mjetet në dispozicion studentët e komuniteteve joshumicë për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe kontribuues të zhvillimit të vendit.