Mjeku farmacist me arritje ndërkombëtare dhe profesori i Kings’s College London, Driton Vllasaliu do të jetë pjesë e personelit akademik të UP-së
Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e 22-të, të mbajtur më 20 nëntor 2025, miratoi asociimin edhe me Universitetin e Prishtinës të mjekut farmacist dhe profesorit të King’s College London, prof. Driton Vllasaliut.
Asociimi i profesorit dhe mjekut me përmasa dhe karrierë ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, u bë me propozim të rektorit, profesor Arben Hajrullahu dhe në pajtim me Rregulloren për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati i UP-së.
Profesori Driton Vllasaliu, profesionisti i njohur mjekësor i Shkollës së Shkencave Farmaceutike dhe Onkologjike të King’s College London, do të punojë me orar të pjesshëm edhe në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Ai masterin dhe doktoratën në fushën e farmacisë i përfundoi në Universitetin e Notingemit në Britani (School of Pharmacy, University of Nottingham), ndërsa e fitoi edhe certifikatën pasdiplomike të edukimit në Universitetin Linkoln të Pensilvanisë [Postgraduate Certificate of Education (PGCE) Higher Education Teaching and Learning, University of Lincoln].
Profesori dhe farmacisti Driton Vllasaliu ka të publikuara dhjetëra punime shkencore në revista prestigjioze mjekësore, ndërsa fokus kryesor i interesimeve të tij profesionale është puna e pandërprerë për kapërcimin e pengesave biologjike për përthithjen më të mirë të barnave, pa pasur nevojë për injeksione.
Vllasaliu është profesori i tretë që transferohet edhe në UP që nga hyrja në fuqi e Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik. Në tetor 2025, me miratim të Senatit, pjesë e personelit akademik të UP-së u bë edhe mjeku dhe profesori i Universitetit Shtetëror të Ohajos, prof. Dukagjin Blakaj, ndërsa në shtator u lidh edhe me UP-në, studiuesi i Universitetit të Qytetit të Dublinit dhe bashkëpunëtori kërkimor i Universitetit të Oksfordit, prof. Gëzim Visoka.
Ardhja e këtyre profesorëve me përmasa ndërkombëtare dhe integritet të lartë akademik dhe kontributi i tyre nëpërmjet ligjëratave e zhvillimit të kërkimeve dhe bashkëpunimeve shkencore, do t’i ndihmojë UP-së të jetë në hap me zhvillimet e hovshme të kohës.