Ministri i Arsimit në Universitetin e Prishtinës: Takim për rritje bashkëpunimi dhe koordinim veprimesh

Ministri i Arsimit në Universitetin e Prishtinës: Takim për rritje bashkëpunimi dhe koordinim veprimesh

Administrator Administrator 27 mars 2026

Në një takim të drejtuesve të UP-së me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, u diskutuan çështje që e çojnë përpara Universitetin e Prishtinës dhe shoqërinë kosovare.

Në takim u tha se nevojitet koordinim ndërinstitucional në lidhje me fakultetet  e reja që mund të krijohen, ristrukturimin e mundshëm të Fakultetit të Mjekësisë dhe rikthimin e Programit të mamive në këtë fakultet, derisa u konstatua se njësitë akademike më kompakte e më të vogla po dëshmohen nga praktika se janë më të suksesshme dhe më të menaxhueshme.

Temë e rëndësishme e takimit ishte edhe çështja e pronave të UP-së që në disa raste janë të atakuara nga uzurpatorë të ndryshëm, ndërsa u konsiderua shumë i rëndësishëm edhe tejkalimi i ndasive nga e kaluara nëpërmjet integrimit të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë nën ombrellën institucionale të Kosovës.

U fol gjithashtu edhe për fuqizimin e qendrave dhe instituteve të UP-së në mënyrë që këto institucione të krijojnë më shumë të hyra, duke ofruar ekspertizën e tyre sidomos për nevojat e institucioneve publike. U shpreh brengosja e thellë që buxheti i UP-së është shumë i vogël dhe si i tillë nuk garanton zhvillim, por vetëm mbijetesë. Ministri Çeku tha se bashkë me drejtues të UP-së dhe institucionet qendrore duhet të rimendohet buxheti i universitetit.

Ministrit iu dorëzua vendimi i Senatit nga mbledhja e 20 shkurtit 2026, me të cilin parashikohen kuota të rezervuara të studimeve prej 1 për qind në UP për arbëreshët e Italisë, arbneshët e Zarës dhe shqiptarët e Turqisë dhe 2 për qind për diasporën me origjinë nga Kosova. Kuotat duhet të miratohen nga Ministria e Arsimit dhe z. Çeku premtoi se do t’i iniciojë ndryshimet e nevojshme të udhëzimit administrativ për të mundësuar kuotat e tilla.

Drejtuesi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, i shoqëruar nga këshilltarja e tij Arta Berisha, u prit nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, kryetari i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Rozafa Basha, Majlinda Gjelaj e Adem Beha dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Safet Thaçi.

Ministri Çeku kishte vizituar UP-në edhe në nëntor të vitit 2024 derisa drejtonte Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.