Mëngjes ndryshe në Universitetin Veror: Ligjërata, eksperimente, socializim dhe buzëqeshje
Mëngjesi i sotëm në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës nisi me një mëngjes të përbashkët në oborrin e Rektoratit, organizuar nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, me pjesëmarrjen e profesorëve ligjërues.
Pas këtij momenti mikpritës, u zhvilluan disa vizita në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, ku po mbahen kurset.
Prorektorja Rozafa Basha dhe zyrtarja e Universitetit Veror, Saranda Krasniqi, së pari u ndalën te kursi i përbashkët i profesorëve të fakulteteve të edukimit të Universitetit Boğaziçi të Turqisë dhe Universitetit të Prishtinës, prof. Muhammet Arıcan dhe prof. Eda Vula.
Të dy profesorët po përdornin sistemin STEM, shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën që t’i nxisin studentët të mendojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për t’i zgjidhur problemet praktike.
Pastaj vizitat vazhduan te kursi në lidhje me teknologjinë e inteligjencës artificiale për analizimin dhe grumbullimin e të dhënave masive në biznese, që po mbahet nga profesori i Universitetit Sage në Japoni, Kohei Arai dhe kolegu i tij nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Arbnor Pajaziti.
Ndalesa e tretë ishte te kursi për rrëfimet dhe kulturën e kujtesës, një bashkëpunim mes profesorit Maciej Bialaous nga Universiteti i Bialystokut të Polonisë dhe profesorit të Fakultetit Filozofik, Gëzim Selaci, ku po shpjegohej për „makinën” e nostalgjisë.
Në kursin e profesoreshës së Universitetit Hanze të Holandës, Sanja Balalic dhe profesoreshës së Fakultetit Filozofik, Rita Selimi, që merret me robotikën sociale dhe shëndetin e qëndrueshëm, tre studentë, njëra nga Kosova dhe dy studentë ndërkombëtarë e paraqitën punimin e tyre për një aplikacion që do të ndihmonte nënat që mund të vuajnë nga depresioni postpartum.
Vizita vazhdoi te kursi për rrugën e artefakteve nga vendi i zbulimit e deri te muzetë, i cili nga profesorët Arsim Canolli dhe Christophe Goddard për herë të parë po mbahej në ambient të mbyllur, pasi ishte zhvilluar nëpër vendet historike e antike të Kosovës, derisa studentët e profesorit japonez, Tosh Minohara, bashkë me të, ishin nisur drejt Reporting House, një ambienti ku ruhet kujtesa mediale e luftës së Kosovës.
Profesori Minohara, bashkë me profesorin, Sabri Kiçmari, po bashkëpunojnë në kursin për rolin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së shtetit japonez në 150 vjetët e fundit.
Profesorët Tekin e Gjinovci, po u mësojnë studentëve se si teknologjia po e përmirëson funksionimin e trurit, por edhe të mësuarit.
Në kursin e përbashkët të profesorit Ilir Mazreku nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore dhe profesorit gjerman Armin Bahl që po ligjërojnë për sjelljet e kafshëve, pas ligjëratës teorike ishte koha e eksperimenteve praktike, derisa në kursin e profesorëve nga Universiteti i Anglisë Lindore, Islam Foniqi e Justin Trias në bashkëpunim me profesorin e UP-së Qëndrim Gashi , ku po ligjërohet për makina abstrakte që mund të zgjidhin probleme të vërteta, tabela ishte e mbushur me formula komplekse matematike.
Pasdite vonë në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës do të fillojnë aktivitetet e turnetë në disa sporte.