Menaxhmenti i UP-së priti në takim komisionin për arsim
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi i Kuvendit të Kosovës ka vizituar Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ka zhvilluar takim me menaxhmentin e UP-së.
Në këtë takim janë diskutuar çështje të ndryshme lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, mirëpo tema kyçe e këtij takimi ishte kërkesa e laborantëve të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore për ndryshimin e statusit të tyre në kuadër të organizimit dhe sistematizimit të vendeve të punës në Universitetin e Prishtinës. Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për procesin e akreditimit në UP, ndërkaq është ritheksuar fakti që UP-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë universiteti numër një në vend.
Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i ka informuar të pranishmit me zhvillimet aktuale në UP, si dhe me sfidat, me të cilat po ballafaqohet menaxhmenti në realizimin e strategjisë për transformimin e Universitetit të Prishtinës.
Zhvillimet në UP janë mirëpritur nga anëtarët e komisionit parlamentar, të cilët shprehen gatishmërinë për të punuar edhe më ngushtë me Universitetin e Prishtinës për tejkalimin e sfidave, me të cilat përballet institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend.
