Me mbledhje komemorative, kujtohet jeta dhe vepra e profesor Mehdi Hetemit

Administrator Administrator 28 gusht 2019 Arkivuar

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar ceremoni komemorative për t’i dhënë lamtumirën profesorit Mehdi Hetemi. Në amfiteatrin e këtij fakulteti, u mblodhën familjarë, kolegë, miq e studentë të profesor Hetemit, të cilët, me këtë ceremoni, e kujtuan jetën dhe veprën e tij.

Me këtë rast, dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Haxhi Gashi, shprehu ngushëllime për familjarët, kolegët dhe studentët e profesor Hetemit, teksa theksoi se Hetemi dha një kontribut të madh për universitetin dhe shkencën në vendin tonë.

“Ndarja nga jeta e profesor Hetemit është humbje për Fakultetin Juridik, për Universitetin e Prishtinës dhe për vendin. Vepra e tij do të mbetet e paharruar për kolegët dhe studentët”, theksoi dekani Gashi.

Për ta kujtuar jetën dhe veprën e profesor Hetemit, në këtë ceremoni mortore, kolegu, prof. dr. Bedri Peci, rrëfeu për biografinë e tij të pasur.

Në emër të familjes Hetemi, pjesëmarrësve, me fjalë rasti, iu drejtua vajza e profesorit, Anila Hetemi – Krasniqi, e cila i falënderoi të gjithë për prezencën në këtë akademi komemorative dhe për mbështetjen e dhënë.

Profesor Mehdi Hetemi ishte njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj për disa dekada me radhë në fushën e drejtësisë në vendin tonë.