Me mbledhje komemorative, kujtohet jeta dhe vepra e profesor Halit Halimit

Administrator Administrator 12 nëntor 2019 Arkivuar

Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, fakultet në të cilin i ndjeri prof. dr. Halit Halimi ligjëroi për dekada të tëra, u kujtua jeta dhe vepra e tij.

Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, në fjalën e tij duke kujtuar vlerat e profesor Halimit, u shprehu ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe studentëve të profesorit të ndjerë.
“Ani pse trupi i tij nuk frymon më, fryma e ideologjisë së tij, urtësia e përkushtimi i profesor Halimit gjenden të trashëguara në mësimet e studentëve të tij, në sallat ku ai ligjëroi e në shkresat intelektuale që pena e tij ua fali mësimeve të gjuhës frënge në vendin tonë“, tha rektori.


Kontributin e profesorit në katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Lindita Sejdiu – Rugova, e konsideroi të veçantë.
“Jemi mbledhur këtu për ta përshëndetur pa praninë fizike të tij, punën dhe veprën e njërit prej profesorëve të shquar të katedrës së Frëngjishtes, profesorit të gjuhës frënge, studiuesit pararojë, i cili gjatë tërë punës së tij në Fakultetin e Filologjisë dha një kontribut të rëndësishëm në auditoriumet e këtij institucioni”, potencoi dekanja.

Biografinë e pasur të profesorit të ndjerë para të pranishmëve e shpalosi bashkëpunëtorja e afërt e tij, prof. dr. Bade Bajrami.

E në cilësinë e kolegut dhe mikut të tij, të pranishmëve iu drejtua z. Murat Bejta, i cili rrëfeu përvojën me profesorin Halimin.

Kolegët dhe studentët e pranishëm në këtë mbledhje komemorative i përshëndeti djali i profesorit, z. Fisnik Halimi, i cili i falënderoi ata për nderimin që i bënë personalitetit të tij, duke thënë se është krenar me veprën e babait të tij.

Prof. dr. Halit Halimi i shërbeu UP-së jo vetëm si profesor, por edhe si anëtar i Komisionit për Mësim pranë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në vitet 1994-96; shef i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në vitet 1994-2009, si dhe anëtar i përkohshëm i Senatit të Universitetit të Prishtinës në vitet 2004-2006.