Mbyllet me sukses punëtoria për akreditimin e programeve dhe institucioneve

Administrator Administrator 8 prill 2017 Arkivuar

Dje në UP u përmbyll punëtoria dyditore për akreditimin e programeve dhe institucioneve e organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në këtë punëtori pjesëmarrës ishin ekspertë nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), Prof. Volker Gehmlich nga Universiteti Osnabrueck në Gjermani, si dhe dekanët, prodekanët për mësim, zyrtarët e zyrave për zhvillim akademik dhe koordinatorët për sigurim të cilësisë të programeve nga të gjitha njësitë akademike të UP-së.

Prorektorja për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustina, e cila mori pjesë në organizimin e kësaj punëtorie, tha që është ndarë shumë e kënaqur me rrjedhën e punëtorisë, e cila sipas saj, ka zgjuar interesim të madh tek pjesëmarrësit dhe është përcjellë me debate të shumta. 

Në anën tjetër, Faton Tishukaj, asistent në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit në UP, tha që është shumë i kënaqur që ka qenë pjesë e kësaj punëtorie si dhe shpreson që organizime të tilla të ketë edhe në të ardhmen. Ai listoi disa arsye të cilat e bëjnë realizimin e kësaj punëtorie një ide fantastike, e më e rëndësishmja sipas tij ishte fakti që  “fakultetet janë në vazhdimësi në proces të përpilimit dhe prezantimit të programeve të reja për akreditim dhe riakreditim dhe informatat ishin shumë relevante sa i përket këtyre proceseve”.

Punëtoria që edhe zhvilluar në Sallën e Senatit në Rektorat, ka zgjatur dy ditë. Gjatë kësaj punëtorie u diskutua për vlerësimin e jashtëm, vlerësimin e brendshëm, zhvillimin e programeve, transferin e kredive nga një universitet tek tjetri, konvertimin e notave në sisteme të ndryshme dhe çështje të tjera.