Mbyllet edicioni i 18-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
Edicioni i 18-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, pas rreth dy javë kohëzgjatje, u mbyll me një ceremoni solemne të organizuar në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare.
Në praninë e profesorëve dhe studentëve ndërkombëtarë dhe vendorë pjesëmarrës në këtë edicion, stafit organizativ dhe të ftuarve të tjerë, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë për organizimin e këtij edicioni madhështor të UVP-së.
Rektori Dema tha se shpreson që pritjet e tij për një eksperiencë unike në këtë edicion të UVP-së, të jenë realizuar.
“Sot kur po shënojmë përfundimin e këtij edicioni të UVP-së, jam këtu për t’iu falënderuar për kontributin tuaj dhe për të uruar më të mirën për ju, duke dashur që urimet dhe pritjet e mija për një eksperiencë të paharrueshme të jenë realizuar më të vërtetë”, tha Dema.
Rektori në veçanti falënderoi profesorët për kontributin e tyre dhënë për ndriçimin e mendjeve të studentëve me njohuri të reja nëpërmjet ligjëratave të mbajtura në këtë Universitet Veror, falënderoi donatorët, stafin organizativ dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Në anën tjetër, të jashtëzakonshme e konsideruan eksperiencën në UVP profesorët dhe studentët pjesëmarrës.
Në emër të profesorëve ndërkombëtarë, profesoresha Christine Haselbacher iu drejtua të pranishmëve me fjalë rasti.
“Ju bëtë një punë të mahnitshme. Koncepti i punës së një profesori ndërkombëtar me një profesor vendor është jashtëzakonisht i qëlluar, sepse na mundëson që të mësojmë më tepër nga njëri-tjetri nga aspekti didaktik dhe akademik”, tha profesoresha Christine. Ajo, po ashtu, lavdëroi studentët, të cilët sipas saj ishin shumë aktivë, të interesuar, kureshtarë dhe profesionalë.
Ndërkaq, fjalën e profesorëve vendorë në këtë ceremoni e adresoi profesori Gazmend Luboteni, i cili tha që është shumë i lumtur që për të tetën herë ishte pjesë e profesorëve ligjërues të UVP-së.
“Jam i lumtur që shoh shumë pjesëmarrës, veçanërisht profesorë të huaj që po rikthehen përsëri në UVP, sepse kjo tregon që ata po kënaqen këtu dhe po e pëlqejnë vendin tonë të bukur”, tha profesori Luboteni.

Ndërsa studentët, edhe pse u shprehën të lumtur me pjesëmarrjen e tyre, ata nuk e mohuan faktin që janë të dëshpëruar që këtij edicioni i erdhi fundi.
“Për mua personalisht ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Jam shumë falënderues që pata shansin të vijë këtu dhe të mësoj më tepër lidhur me Kosovën, sepse imazhi që kam pas për Kosovën si vend, ishte vetëm nga mediat”, tha Daniel Simon - student pjesëmarrës nga Gjermania.
Fejzullah Zahiti, student pjesëmarrës në kursin “Hyrje në sistemin amerikan të drejtësisë penale” tha që ky edicion i UVP-së ishte një përvojë e mrekullueshme, teksa falënderoi profesorët e tij dhe kolegët, si dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet.
“Pa mëdyshje mund të them që Universiteti Veror i Prishtinës është një mundësi e jashtëzakonshme për të mësuar dhe përjetuar eksperienca të reja. Jam shumë fatlum që kam përjetuar diçka që e bënë aq të vështirë fjalën lamtumirë”, theksoi Fejzullahu.
Edicioni i sivjetmë i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës ka sjellë në Prishtinë 344 studentë nga e mbarë bota, përfshirë edhe studentë nga vendet e largëta si: Argjentina, Ekuadori, Jordania, Nepali, Spanja, Arabia Saudite dhe Tunizia.
Përveç kurseve të ndjekura, studentët patën mundësinë që të marrin pjesë edhe në punëtori të ndryshme, ekskursione në vende historike të Kosovës dhe aktivitete të tjera edukative dhe kulturore gjatë dy javëve sa zgjati Universiteti Veror.