Mbyll punimet edicioni i 36-të i Seminarit Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare
Për të tridhjetegjashtën herë është mbajtur seminari ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në ambientet e Fakultetit Filologjik, që është njëherësh edhe organizatori i këtij seminari. Seminari ka gjetur mbështetjen edhe të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Shumë studiues të gjuhës shqipe u bënë pjesë e këtij seminari për dy javë rradhazi, duke shpalosur hulumtimet e tyre para albanologëve, që vinin nga vende të ndryshme të botës.
Dekanja e Fakultetit Filologjik, Prof. asoc. Lindita Rugova, në përmbyllje të këtij seminari, vlerësoi lartë punën e hulumtuesve dhe albanologëve, të cilët me punimet e tyre kontribuuan që ky edicioni i seminarit të ketë vëmendjen e të gjithëve, duke përfshirë edhe mediat.
Kurse, drejtori i seminarit, Prof. asoc. Rrahman Paçarizi, theksoi se këtë herë edicioni i 36-të i tejkaloi pritshmëritë e tyre, përkundër vështirësive financiare që kishin.
“Stafi organizativ i seminarit u mobilizua që të kemi këtë sukses dhe kjo falë përzgjedhjes së mirë të temave boshte të sesioneve shkencore si dhe të ftuarve për ligjërata. Një falënderim i veçantë shkon për albanologët arbëreshë nga Italia, studiuesit nga Shën Petersburgu në Rusi dhe studiuesit shqiptarë, të cilët erdhën për të dhënë kontributin e tyre në këtë seminar”.
Rreth 130 studiues nga vende të ndryshme të botës morën pjesë në sesionet shkencore apo referime ku u bënë edhe dy promovime, kurse një numër afërsisht i njëjtë morën pjesë edhe në kurset e gjuhës shqipe që u zhvilluan në tri nivele.
Zef Kjaramonte është studiues arbëresh nga Italia, i cili për asnjë vit me rradhë nuk ka munguar në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Ai vlerëson lartë rëndësinë e jashtëzakonshme të seminarit, duke theksuar se është i vetmi seminar i gjuhës shqipe në botë që ka kaq shumë jetëgjatësi.
Punimet më të mira nga ky edicion, do të përzgjidhen nga redaksia ndërkombëtare për tu botuar, por një risi këtë herë është një botim i veçantë, ku do të publikohen punimet, të cilat plotësojnë kriteret e punimeve ndërkombëtare.