Mbledhja e Senatit: Miratohen rregulloret për publikimet e UP-ës, vlerësimin e studentëve dhe titujt e nderit

Mbledhja e Senatit: Miratohen rregulloret për publikimet e UP-ës, vlerësimin e studentëve dhe titujt e nderit

Administrator Administrator 19 korrik 2025 Arkivuar

Në mbledhjen e 18-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar më 18 korrik 2025 u miratuan disa rregullore të rëndësishme dhe angazhimi i personelit akademik të jashtëm, profesorët vizitorë, për vitin akademik 2025/'26.

Senatorët me katër vota kundër kaluan Rregulloren për vlerësimin e studentëve dhe afatet e provimeve që si edhe rregulloret tjera të miratuara kohëve të fundit, është në harmoni me Statutin e UP-së të miratuar në korrik 2024.

Gjithashtu u miratuan Regullorja dhe Udhëzuesi për publikimet e Universitetit të Prishtinës bashkë me Rregulloren për procesin dhe procedurën e vendimmarrjes në përzgjedhjen e fituesve të titujve të nderit, çmimeve për studentët e dalluar dhe mirënjohjeve.

Senati shqyrtoi pasqyrat e angazhimit të personelit akademik të brendshëm dhe miratoi propozimet për angazhimin e personelit akademik të jashtëm, profesorët vizitorë, për vitin akademik 2025/'26 si dhe mandatet e senatorëve të rinj nga radhët e Parlamentit Studentor.

Ndërsa me shumicë votash u pezullua shqyrtimi dhe miratimi i vendimit të Këshillit të Etikës, i  datës 14 korrik 2025.

Pa vota kundër dhe abstenime u miratuan edhe materialet e ardhura në Senat pas shqyrtimit dhe aprovimit në Këshillin Qendror të Studimeve të Doktoratës.