Mbledhja e Senatit: Edhe tre profesorë tjerë nga diaspora akademike dijen dhe përvojën e tyre do ta shfaqin në UP

Mbledhja e Senatit: Edhe tre profesorë tjerë nga diaspora akademike dijen dhe përvojën e tyre do ta shfaqin në UP

Administrator Administrator 4 mars 2026

Në mbledhjen e Senatit, më 4 mars 2026 njëzëri u vendos që profesoresha Miranda Kajtazi nga Universiteti i Lund-it, profesori Isa Blumi nga Universiteti i Stokholmit dhe profesori Venet Osmani nga Universiteti Queen Mary i Londrës të afiliohen edhe me Universitetin e Prishtinës.

Tre profesorët e njohur, me përvojë e rezultate të larta ndërkombëtare, do t'u bashkohen pesë kolegëve të tyre po nga diaspora akademike, tashmë të lidhur me UP-në, sipas Rregullores për transferim, programin „Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik dhe projektit për „kthimin dhe qarkullimin e trurit”.

Gjithashtu u aprovuan shumica e propozimeve për emërime, riemërime dhe avancime të personelit akademik në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Ekonomisë dhe u krijua komisioni për hartimin e Rregullores për SEMS.

Senatorët anuluan vendimet për rizgjedhjen e dy profesorëve në pozitat profesor-asistent dhe profesor i asociuar dhe u vendos që këshillat e fakulteteve të sjellin në Senat propozimet për mësimdhënës dhe asistentë të angazhuar, në mënyrë që më pas të shpallen konkurset për këto pozita.

Senati miratoi edhe Udhëzuesin lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale gjeneruese nga studentët e UP-së dhe aprovoi e ratifikoi disa tema doktorate të ardhura nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës.