Mbahet takim i Këshillit të Instruktorëve të QEQ-it, diskutohen kurset dhe mundësitë që kjo qendër ofron

Mbahet takim i Këshillit të Instruktorëve të QEQ-it, diskutohen kurset dhe mundësitë që kjo qendër ofron

Blerta Dibrani 18 mars 2022 Arkivuar

Në Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" (QEQ) është mbajtur takim me Këshillin e Instruktorëve të QEQ-it, ku të pranishëm ishin edhe rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe shefja e QEQ-it, prof. dr. Majlinda Daci-Ajvazi.

Në këtë takim u diskutua progresi i dy programeve certifikuese që ofrohen (Energjia e Ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria dhe Menaxhimi i Energjisë dhe Mjedisit) si dhe ecuria e trajnimit profesional për auditorë të energjisë, për ofrimin e të cilit Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës e ka autorizuar QEQ-in.

Në fjalën e tij para instruktorëve të pranishëm, rektori, prof. dr. Naser Sahiti ka njoftuar instruktorët rreth nismave për ngritjen e mëtejme të kapaciteteve të QEQ-it për ofrimin, jo vetëm të kurseve certifikuese për studentë, por edhe të programeve të trajnimeve profesionale për palët e treta me fushën e energjisë dhe mjedisit. Rektori i ka inkurajuar instruktorët e QEQ-it të shfrytëzojnë, në mënyrë efikase, buxhetin e ndarë për qendrën për zhvillimin dhe afirmimin tutje të QEQ-it.

Në anën tjetër, shefja e QEQ-it, prof. Daci-Ajvazi, i informoi të pranishmit rreth interesimit të studentëve për të marrë pjesë në kurset certifikuese dhe shqyrtoi mundësinë e përfshirjes edhe të studentëve të institucioneve të tjera të arsimit të lartë, por edhe të palëve të tjera të interesuara, në kurset që ofron QEQ-i.

Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri, në kuadër të UP-së, është qendër gjithëpërfshirëse e kërkimit dhe trajnimit ndërdisiplinor, që synon të adresojë sfidat globale të zhvillimit të qëndrueshëm. Qendra synon të gjejë zgjidhje praktike dhe të zbatojë politika të qëndrueshme në lidhje me problemet e ngrohjes globale dhe ndryshimin e klimës, prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ekologjinë njerëzore.