Mbahet simpoziumi i shtatë ndërkombëtar “WAD” – Prishtina 2019
Në hapësirat e Bibliotekës Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në praninë e pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të Evropës, u mbajt simpoziumi i shtatë ndërkombëtar “World Asthma Day” – Prishtina 2019.
Ky simpozium me karakter ndërkombëtar, i cili u organizua nga Asociacioni Kosovar për Imunologji, Astmë dhe Alergji, në bashkëpunim me UP-në dhe të tjerë partnerë, mblodhi rreth vetës shumë specialistë të fushës së mjekësisë interne, të cilët çdo ditë ballafaqohen me problematika të këtij lëmi.
Për herë të parë, në këtë konferencë u paraqitën të dhënat epidemiologjike në lidhje me prevalencën e astmës, rinokonjuktivitit dhe ekzemës në moshat fëmijërore si dhe te prindërit e tyre, të mbledhura në gjashtë qendra të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Gjilan. E për punën e tyre, qendrat e mjekësisë familjare të këtyre komunave u shpërblyen me mirënjohje.
Në anën tjetër, rektori, prof. dr. Marjan Dema, u shpreh i lumtur që universiteti, tash e sa vite, është bashkorganizator i këtij simpoziumi.
“Kjo konferencë e organizuar nga Asociacioni Kosovar për Imunologji, Astmë dhe Alergji, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe të tjera institucione, është një mundësi e mirë për të diskutuar lidhur me problemin e astmës”, tha Dema.
Ky simpozium, sipas profesoreshës prof. ass. Luljeta Neziri–Ahmetaj, ka arritur që Kosovën ta vendosë në hartën e vendeve që e shënojnë Ditën Botërore të Astmës.
“Mund të them që këtë shtet kaq të vogël ia kemi arritur që ta vendosim në hartë. Është bërë sot bashkëdyzim i aktiviteteve që do të shënohen në Evropë dhe në Kinën e largët”, tha Neziri–Ahmetaj.
Sot, në gjithë botën, shënohet Dita Botërore e Astmës.

