MASHt- KONKURS PËR NDARJE TË BURSAVE PËR STUDENTËT E UNIVERSITETEVE PUBLIKE
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ofron bursa duke u bazuar në Ligjin e arsimit të lartë nr.04//L-037, prioritetet nacionale dhe interesat strategjike të vendit që synojnë mbështetjen e studentëve me bursa studimi për studentët e shkëlqyer në programet e studimit në fusha prioritare, për studentët me aftësi të kufizuara, rritjen e kapaciteteve në shkenca teknike, mbështetur në Udhëzimin administrativ nr. 14/2017 të datës 06.12.2017 dhe vendimin e Ministrit nr. 484/01B dt.24.10.2019:
SHPALL
KONKURS
PËR NDARJE TË BURSAVE PËR STUDENTËT E UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË PROGRAMET: BAÇELOR DHE MASTER PËR VITIN AKADEMIK 2019-2020
Kushtet dhe kriteret
1. Për fitimin e bursës së MASHT, kandidatët duhet ti plotësojnë këto kushte dhe kritere bazë:
1.1. Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
1.2. Të kenë përfunduar vitin e parë në studimet BA dhe vitin e parë për studimet MA;
1.3. Të kenë të përfunduar të gjitha provimet paraprake dhe kredit e fituara për vit akademik, pa përsëritje të vitit.
1.4. Të jenë studentë të këtyre fushave të studimit:
- Bujqësi - veterinari
- FSHMN;
- Mjekësi e përgjithshme, farmaci, stomatologji;
- Teknik;
- Shkenca të aplikuara.
1.5. Të gjitha fushat e cekura në pikën 1.4 të këtij konkursi të kenë notën mesatare të studimeve së paku 9.0, në përjashtim të fushës së Teknikut që duhet të jetë së paku 8.0.
1.6. Kriteret në pikën nr. 1.2, 1.3, 1.4, 1.5, 1.7, përjashtohen për studentët me aftësi të kufizuara.
1.7. Për nivelin Master kandidati duhet të sjellë së paku dy (2) referenca të nënshkruara nga profesorët, me të cilat dëshmohet merita dhe kompetenca e kandidatit.
Kategoritë e studentëve me përparësi
2. Kategoritë e kandidatëve që do të kenë përparësi për fitimin e bursës nga MASHT, në kushte të barabarta me studentët tjerë janë:
2.1. Fëmijët e dëshmorëve të luftës së UÇK-së;
2.2. Invalidët e luftës së UÇK-së dhe fëmijët e tyre;
2.3. Veteranët e luftës së UÇK-së dhe fëmijët e tyre;
2.4. Fëmijët e të zhdukurve të luftës;
2.5. Fëmijët e familjeve që janë përfitues të skemave sociale;
2.6. Fëmijët e ish të dënuarve, të burgosurve dhe të përndjekurve politik;
2.7. Fëmijët të cilët janë më tepër se një student nga një familje;
2.8. Kriteret dhe kushtet për studentët me aftësi të kufizuara, janë sipas udhëzimit nr. 14/2017.
Dokumentacioni që kërkohet për të gjithë studentët:
1. Formulari i aplikacionit nga MASHT, i cili mund të shkarkohet në linkun e MASHT- https://masht.rks-gov.net/, për bursë drejtuar MASHT;
2. Certifikata e lindjes origjinale;
3. Vërtetimi i statusit të studentit për vitin akademik 2019-2020;
4. Certifikata e vërtetuar e notave nga fakulteti për dy nivelet e studimit (BA dhe MA), me notë mesatare dhe kreditë e fituara të cekura;
5. Kopja e letërnjoftimit;
6. Konfirmim nga banka për xhirollogarinë bankare, e cila llogari duhet të jetë aktive. Llogaria bankare duhet të jetë e vet studentit që aplikon;
7. Të gjitha dokumentet që kërkohen me UA. 14/2017, duhet të jenë origjinale dhe të lëshuara nga organet kompetente.
Kandidatët e kategorive sipas nenit 4 të UA 14/2017 duhet të sjellin të gjithë dokumentacionin si më lartë dhe dëshmi valide nga organet kompetente.
Procedurat e aplikimit
- Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentacionit bëhet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, rr. “Agim Ramadani” p. n. 10000, Prishtinë, kati i III, nr. 301.
- Dokumentet e pakompletuara nuk do të shqyrtohen nga komisioni.
- Dokumentet e dorëzuara mbesin dosje të arkivuara në MASHT dhe nuk mund të kthehen.
- Lista e studentëve përfitues do të bëhet publike në uebfaqen e MASHT.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 28.10.2019 deri më 08.11.2019 në ora 16:00.
E drejta e ankesës: Kandidatët që kanë aplikuar për përfitim të bursës, kanë të drejtë ankese në afat prej 7 (shtatë) ditësh, pas shpalljes së rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e MASHT, kati përdhesë, zyra nr. 4 dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i MASHT.