Ligjëratë në Universitetin e Prishtinës për parandalimin e konfliktit të interesit
Njëri nga drejtorët në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Esad Ejupi, ligjëroi dhe bashkëbisedoi me menaxhmentin e UP-së, dekanët dhe sekretarët e njësive akademike në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesit.
Drejtori Ejupi, që në agjenci drejton pikërisht Departamentin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, tha se ky konflikt lidhet me vendimmarrjen dhe mund të parandalohet me menaxhimin e duhur. Ai tregoi se konflikti i interesit nuk është në vetvete korrupsion, por mund të shkojë drejt tij ose veprave tjera penale, nëse ngel i patrajtuar.
Duke qenë se ligjërata u zhvillua në sallën e Senatit, rektori, prof. Arben Hajrullahu, kërkoi përgjigje nga drejtori Ejupi, se si të veprojë në rastet kur si kryesues i mbledhjes, dikush që mund të jetë në konflikt interesi për ndonjë vendimmarrje, nuk e liron sallën ose, edhe më keq, tenton edhe të votojë.
Drejtori Ejupi sugjeroi që në raste të tilla anëtarit të Senatit duhet t'i kujtohet se ndodhet në konflikt të mundshëm interesi dhe t'i kërkohet të lirojë sallën, por nëse ai refuzon dhe më pas voton, vota e tij të mos numërohet dhe ai në ekstrakt të mbledhjes të mos konsiderohet se ishte i pranishëm në atë vendimarrje.
Drejtori Ejupi tregoi se konflikti i interesit mund të parandalohet që në burim, nëse identifikohet ose vetëdeklarohet ai që mund ta shkaktojë atë. Ai konstatoi se konflikti i interesit nuk duhet të shërbejë si gogol në institucione publike për ta frikësuar me të njëri-tjetrin.
Në fund, drejtori Ejupi e vlerësoi lart Universitetin e Prishtinës, pasi ligjëratën e tij, duke u ndërlidhur me vendin ku ndodhej, e përfundoi me fjalët e shkrimtarit të njohur Albert Kamy „Integritet nuk ka nevojë për rregulla".