Lidhja kulturore e gjuhësore: UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Francez të Kosovës

Lidhja kulturore e gjuhësore: UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Francez të Kosovës

Administrator Administrator 21 prill 2026

Universiteti i Prishtinës nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Francez të Kosovës.

Me marrëveshje parashikohen aktivitete të përbashkëta dhe bashkëpunim mes UP-së dhe Institutit, në kuadër të partneritetit për zhvillimin e mësimdhënies dhe promovimin e gjuhës frënge në Universitetin e Prishtinës gjatë vitit 2026.

Në Fakultetin e Filologjisë të UP-së Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge ofron programe studimi bachelor e master për studentët e interesuar që të specializohen në këtë gjuhë, ndërsa sipas marrëveshjes pritet ardhja në këtë departament edhe e lektorëve dhe lektoreve nga Franca. Para nënshkrimit, u shpreh kënaqësia e dyanshme për arritjen e marrëveshjes, që do të forcojë lidhjet mes dy kulturave dhe institucioneve të arsimit të lartë.

Marrëveshja më pas u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe drejtori i Institutit Francez të Kosovës, Edouard Mayoral, në prani edhe të prorektores për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha dhe prodekanes për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hulumtime shkencore në Fakultetin e Filologjisë, prof. Milote Sadiku.

Instituti Francez promovon shkëmbimet gjuhësore dhe kulturore mes Francës dhe Kosovës, duke ofruar kurse të gjuhëve frënge, shqipe e serbe dhe përgatitje të studentëve për testet e frëngjishtes që njihen ndërkombëtarisht.

Në Universitetin e Prishtinës tradicionalisht çdo vit organizohet Panairi i universiteteve franceze, ndërsa studentë e profesorë të UP-së janë pjesë e shkëmbimeve akademike me këto universitete në kuadër të projekteve të ndryshme evropiane.