Lidhja e fuqishme e UP-së me Universitetin e Iowa-s për strategjinë e së ardhmes
Në një takim me profesoreshën e Kolegjit të Edukimit në Universitetin e Iowas, Cassie Barnhardt, drejtuesit e Universitetit të Prishtinës diskutuan rreth strategjisë për të ardhmen dhe reformat e vazhdueshme të programeve të studimit për përshtatje të tyre me tregun e punës dhe nevojat e industrisë.
Rektori i UP-së, prof. Arben Hajrullahu mysafiren e tij e priti së bashku me prorektorin për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari, Prof. Barnhardt, që është drejtoreshë e Projektit „Partneritetet e Sektorit Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë në Kosovë”, erdhi e shoqëruar nga drejtuesja e aktiviteteve të këtij projekti, Elmaze Gashi.
Rektori Hajrullahu në kuadër të vizionit dhe strategjisë së tij për të ardhmen e Universitetit të Prishtinës, përmendi mobilitetin e brendshëm — programet e përbashkëta mes njësive akademike të UP-së, mobilitetin e jashtëm — sjelljen e sa më shumë profesorëve e studentëve nga jashtë dhe anasjelltas, si dhe procesin e digjitalizimit në kohën e zhvillimeve të hovshme teknologjike dhe inteligjencës artificiale.
Drejtuesi i UP-së tha se duhet të kemi ëndrra dhe projekte të mëdha, por ato duhet t’i ndajmë në segmente me dinamikë të përcaktuar kohore për t’i realizuar më lehtë.
Profesoresha Barnhardt shprehu kënaqësinë që punët e mira të bëra së bashku me Universitetin e Prishtinës do të vazhdojnë, duke treguar se aktivitetet e projektit që drejton do të fokusohen në krijimin e klubeve për karrierën e studentëve ku ata do të aftësohen për përdorimin e veglave të inteligjencës artificiale. Ajo përmendi si plane për të ardhmen e afërt edhe ndërtimin e bazave të të dhënave digjitale për universitetin dhe bashkëpunimin e Fakultetit të Mjekësisë me Universitetin e Iowas.
Projekti i Universitetit të Iowa-s „Partneritetet e Sektorit Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë në Kosovë” me Universitetin e Prishtinës dhe universitetet e Pejës dhe Prizrenit, i nisur tre vjet më parë me mbështetjen nga 59 partnerë të sektorit privat, ka për qëllim krijimin e kurrikulave mësimore në koordinim me nevojat e këtij sektori në mënyrë që karrierat dhe reformat më arsimin e lartë të lidhen më fuqishëm me tregun e punës.
Rektori Hajrullahu dhe prorektori Hajdari me profesoreshën e Universitetit të Iowas Barnhardt ishin takuar edhe në nëntor të vitit 2024.