Lansohet #openUP, platforma e dedikuar për promovimin e ndërkombëtarizmit dhe shkëmbimit akademik
Nën tingujt e këngëve të përformuara nga bendi i Universitetit të Prishtinës, u lansua dje platforma #openUP, e dedikuar në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të UP-së.
Në këtë ngjarje unike, personalitete të rëndësishme nga universiteti dhe akademia, anëtarë të trupave diplomatike, përfaqësues të institucioneve dhe partnerë të UP-së u bashkuan për të shfaqur mbështetjen e tyre ndaj angazhimit të UP-së për ndërkombëtarizim.
Rektori Qerimi i përshëndeti të pranishmit në këtë event, përmes një lidhjeje virtuale nga Rumania, ku po merr pjesë në takimin themelues të Konferencës së Rektorëve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
“Ne numërojmë më tepër së 500 partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, me të cilët shkëmbejmë njohuri, praktika e përvoja, shkëmbejmë studentë dhe staf akademik dhe administrativ, duke lartësuar kështu emrin e Universitetit të Prishtinës kudo në Evropë dhe botë,” tha rektori në fjalën e tij. Ai falënderoi stafin akademik dhe administrativ si dhe partnerët e UP-së, për përkushtimin e shfaqur për ndërkombëtarizimin e universitetit.

Ideatorja e platformës, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Arta Basha-Jakupi, shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë aktorët, për mbështetjen dhe punën e bërë në ndërkombëtarizimin e UP-së dhe lansimin e platformës openUP. "Jemi shumë krenarë që kemi mbështetjen dhe pjesëmarrjen e profesionistëve të shquar dhe miqve të UP-së," tha prorektorja Basha-Jakupi, duke shprehur dhe ndarë mirënjohje për kontributin e dekanëve në avancimin e pozicionit ndërkombëtar të universitetit. "Prezenca e tyre thekson rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare dhe vë në dukje punën e jashtëzakonshme të profesionistëve të përkushtuar që punojnë në prapaskenë", shtoi Prorektorja. Mirënjohje u janë ndarë edhe Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë dhe Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara, për punën e shkëlqyer që bëjnë në promovimin dhe zgjerimin e rrjetit të partnerëve ndërkombëtarë.

Gjatë këtij eventi, u prezantua edhe video promovuese e UP-së dhe animacioni shpjegues për platformën #openUP, të kuruara nga regjisorët, njëherësh profesorët tanë, Ismet Sijarina dhe Blerdi Malushi.
Mbrëmja u mbyll me muzikën e performuar nga bendi i UP-së, i koordinuar nga prodekanja e Fakultetit të Arteve, Rreze Kryeziu-Breznica.
Platforma #openUP ofron mundësi për studentët, stafin dhe partnerët, për shkëmbime dhe përvoja në institucione partnere në Evropë dhe botë, përmes marrëveshjeve në kuadër të programeve të ndryshme apo atyre bilaterale, mundësi për studentët nga diaspora, evente të ndryshme ndërkombëtare, e shumë forma të tjera të bashkëpunimit dhe shkëmbimit ndërkombëtar. Për më tepër, shfletoni në vegëzën në vijim: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,184