Kthimi i trurit: UP-ja hap mundësi të re për diasporën akademike, shpall konkurs për emërimin e një mësimdhënësi në disa lëndë të Mekatronikës

Kthimi i trurit: UP-ja hap mundësi të re për diasporën akademike, shpall konkurs për emërimin e një mësimdhënësi në disa lëndë të Mekatronikës

Administrator Administrator 5 shtator 2025 Arkivuar

Për herë të parë që nga miratimi nga Senati më 30 prill 2025 i Rregullores për transferim, programin “Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, Universiteti i Prishtinës shpall konkurs për emërimin e një mësimdhënësi në disa lëndë të Departamentit të Mekatronikës në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. 

Këtij hapi të ri e të madh përpara për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përgatitjes së UP-së për sfidat e zhvillimeve të hovshme teknologjike dhe mjeteve të inteligjencës artificiale, i parapriu një letër-thirrje e rektorit, prof. Arben Hajrullahu për diasporën ekselente akademike që t’i bashkohet universitetit numër një të vendit, e publikuar në maj të vitit 2025. 

Konkursi i shpallur sot, i pari nga shumë të tjerë që do të pasojnë, është i hapur nga 5 shtatori e deri më 19 shtator 2025, në orën 16:00. 

Të drejtë aplikimi kanë kandidatët që kanë kryer doktoratën në njërin nga 400 universitetet më të mira në botë, sipas renditjes së bërë nga “Times Higher Education” ose “QS World University Rankings”. 

Mësimdhënësi që do të emërohet pas konkursit, do të ligjërojë lëndët: Advanced Internet Computing, Dizajnimi i  qarqeve, Senzorët inteligjentë, Research in Computing Continuum Systems, Hyrje në inteligjencën artificiale, IoT dhe Python Programming. 

Kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara me këtë konkurs, dokumentet e kërkuara mund t’i dorëzojnë në mënyrë elektronike në emailin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike [email protected] ose në platformën online të Universitetit të Prishtinës https://stafiakademik.uni-pr.edu/

Detajet e konkursit dhe dokumentet që kërkohen për të qenë pjesë e tij, mund t’i gjeni të shpjeguara në vegëzën në vijim: 
Konkurs - programi "Brain Gain"

Universiteti i Prishtinës, më i madhi, më i vjetri dhe më i suksesshmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor dhe botë, i pret me kënaqësi të gjithë profesionistët me shkollim cilësor që duan t’i ndihmojnë vendit të tyre ose vendlindjes së prindërve për të ecur përpara dhe në hap me kohën.