Kosova pranohet në mesin e shteteve që kanë revista në platformën e njohur globale DOAJ
Kosova është vendosur si shtet në databazën e njohur Directory of Open Access Journals (DOAJ), pranë emrit të revistës „Kosova Anthropologica” të pranuar më herët në këtë platformë.
Universiteti i Prishtinës, nëpërmjet revistës „Kosova Anthropologica”, të botuar nga Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, i ka ndihmuar Kosovës të pranohet si e barabartë mes shteteve që kanë revista në platformën DOAJ.
Lajmin e mirë për UP-në, Kosovën dhe komunitetin shkencor të vendit, e ka bërë të ditur kryeredaktori i revistës „Kosova Anthropologica” dhe drejtori i Institutit të Antropologjisë, prof. Arsim Canolli.
„Me kënaqësi ju njoftojmë se Kosova tani zyrtarisht është e listuar në DOAJ. Pas kërkesës sonë, DOAJ-i e përditësoi databazën e tyre. Ky është një gjest dashamirës, demokratik e bujar i DOAJ-it gjatë International Open Access Week 2025”, njoftoi profesori Canolli.
Revista „Kosova Anthropologica” u pranua në DOAJ në janar të vitit 2025, ndërsa qysh atëherë botuesit e saj kishin paralajmëruar angazhimin për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e saj në këtë platformë.
Databaza DOAJ, e tipit të hapur, ku punimet shkencore dhe revistat mund të lexohen pa pagesë, është ndër më të rëndësishmet e këtij lloji në botë. Aty janë të vendosura 22 mijë e 136 revista shkencore me mbi 11 milionë artikuj.
Universiteti i Prishtinës e ka njërin nga prioritetet e tij të rëndësishme ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor.