Konferenca IPAU 2025: Fakulteti i Arkitekturës zhvillon programin ndërkombëtar të doktoratës dhe rrit cilësinë e kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike

Konferenca IPAU 2025: Fakulteti i Arkitekturës zhvillon programin ndërkombëtar të doktoratës dhe rrit cilësinë e kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike

Administrator Administrator 7 nëntor 2025 Arkivuar

Fakulteti i Arkitekturës organizoi edicionin e katërt të konferencës ndërkombëtare IPAU 2025 që sivjet iu kushtua studimeve të doktoratës në këtë fakultet, avancimit të kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike.

Ngjarja më e rëndësishme vjetore e Fakultetit të Arkitekturës bëri bashkë personalitete të jetës akademike dhe ekspertë të kësaj fushe nga universitetet e njohura nga rajoni, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Profesorë dhe arkitektë nga Universiteti Shtetëror i Arizonës, Universiteti Teknik i Vjenës, Universiteti Politeknik i Barit, Universiteti i Minhos në Portugali, Universiteti Katolik i Leuvenit në Belgjikë, Universiteti i Brnos në Çeki, Universiteti i Qipros, Universiteti i Lubjanës, Universiteti i Sarajevës, Universiteti Politeknik dhe Universiteti Polis i Tiranës, treguan se si funksionojnë në këto institucione studimet e doktoratës dhe çfarë po bëhet për avancim të kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike.

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës në qershor të vitit 2025 nga Programi Austriak ShER fitoi një grant për mbështetjen e programit të përbashkët të doktoratës të këtij fakulteti me Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit të Universitetit Teknik të Vjenës (TUW) në fushën e arkitekturës së qëndrueshme dhe planifikimit hapësinor.

Gjatë konferencës njëditore ndërkombëtare që shërbeu si bazë e fortë për krijimin e programit të përbashkët të arkitekturës mes UP-së dhe TUW-së, u tha se programet e tilla janë e ardhmja e universiteteve dhe një garanci e fuqishme se ato po vazhdojnë të prodhojnë dije.

Fakulteti i Arkitekturës i UP-së u cilësua vendi ku vizioni bëhet veprim dhe reflektimi bëhet krijim. Programi i doktoratës me Universitetin Teknik të Vjenës u vlerësua fuqizim i hapjes së UP-së ndaj botës, pasi gjërat që bëhen së bashku, bëhen shumë më mirë. Nga konferenca doli përfundimi se arkitektura nuk është vetëm ndërtim, por duhet edhe ta mbrojë njerëzimin dhe planetin.

Fjalën mirëseardhëse në këtë konferencë e mbajti dekania e Fakultetit të Arkitekturës, prof. Violeta Nushi, ndërsa para të pranishmëve folën edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, rektorët e Universitetit Politeknik dhe Universitetit Polis të Tiranës, prof. Akil Fundo e prof. Besnik Aliaj, dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit në Universitetin Teknik të Vjenës, Thomas Dilinger, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi dhe prorektorët e Universitetit të Prishtinës, prof. Rozafa Basha e prof. Avni Hajdari.

Hapjen e IPAU 2025 me temën „Studimet Doktorale në Fakultetin e Arkitekturës, Avancimi i Kërkimit dhe Ekselencës Akademike” e shoqëroi një performancë artistike në flaut e klarinetë nga artistët Alisa Halimi e Diellor Gajtani.

UP-ja i ka ndër prioritetet kryesore ndërkombëtarizimin, rrjetëzimin dhe programet e përbashkëta të studimeve me qëllimin e ngritjes së vazhdueshme të kërkimit shkencor, cilësisë së mësimdhënies dhe renditjes në platformat prestigjioze ndërkombëtare.