Konferenca e Fakultetit të Ekonomisë në UP: Punë e pandalshme deri në barazinë e plotë gjinore
Në një konferencë të organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës me ndihmën e organizatave vendase e ndërkombëtare u fol për fuqizimin ekonomik të grave e vajzave dhe rolin e institucioneve shtetërore e publike për krijimin e barazisë gjinore.
Edicioni i dytë i Konferencës „Barazia Gjinore dhe Institucionet” bëri bashkë bartës të jetës akademike nga UP-ja, universitetet rajonale e evropiane, ekspertë të ekonomisë, krerë të institucioneve kosovare dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë.
Në tri sesione tematike u diskutua për rolin e institucioneve arsimore në avancimin e barazisë gjinore, për migrimin e grave dhe përfaqësimin e tyre në tregun e punës dhe për politikat që mund t'i fuqizojnë ekonomikisht ato.
Në hapjen e konferencës, të pranishmëve iu drejtua me fjalët e tij dekani i Fakultetit të Ekonomisë, prof. Driton Balaj. Ai deklaroi se barazia gjinore është dhe mbetet vlerë thelbësore e institucionit që drejton dhe shoqërisë kosovare.
Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, duke treguar përkushtimin e lartë të menaxhmentit të UP-së për barazi gjinore dhe rezultatet konkrete të këtij institucioni në këtë fushë, bëri thirrje që të veprohet konkretisht, pasi nuk mjafton vetëm të reflektohet për barazi gjinore.
Foli edhe drejtoresha ekzekutive e Zyrës për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, që konstatoi se bashkëpunimi i kësaj zyre me Fakultetin Ekonomik të UP-së është shembull konkret se si një institucion ekzekutiv dhe një tjetër i arsimit të lartë bëhen bashkë për të zbatuar politikat e barazisë gjinore.
Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, institucionet e arsimit të lartë i cilësoi mjetet më të mira për ta çuar përpara barazinë gjinore. Pastaj konferenca vazhdoi me sesionet tematike.
Në konferencë pikëpamjet e tyre për barazinë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave i shfaqën ekspertë e profesorë vendas e ndërkombëtarë nga ShBA-ja, Britania e Madhe, Turqia, Gjermania, Austria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.