Kevin Lampe në kampusin e UP-së – takohet me Rektorin Dema dhe ligjëron para studentëve të UP-së

Administrator Administrator 28 maj 2018 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema ka pritur në takim ekspertin e strategjive politike dhe medias, z. Kevin Lampe.

Rektori Dema falënderoi z. Lampe për vizitën që i ka bërë Universitetit të Prishtinës dhe për faktin që do të ligjërojë para studentëve të UP-së, duke iu mundësuar këtyre të fundit që të përfitojnë nga njohuritë dhe eksperiencat e tij. Dema, ndër të tjerash, informoi z. Lampe me ndryshimet që po ndodhin në Universitetin e Prishtinës, i cili po transformohet nga një Universitet teorik në një Universitet më praktik dhe të orientuar drejt tregut.

I lumtur me praninë e tij në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe me vizitën në Kosovë u shpreh edhe z. Lampe. Ai foli për përvojat e tij në fushën e medias dhe komunikimit, ndërkaq konsideroi që njerëzit që merren me komunikimin në demokraci çdo herë bëjnë gabime dhe sipas tij, njerëzit nuk duhet të frustrohen kur bëjnë gabime, por duhet që të mos dorëzohen dhe të provojnë përsëri. Ai ndau disa nga përvojat e tij më interesante si pjesëtar i fushatave politike të presidentëve Bill Clinton dhe Barack Obama, si dhe i figurave të tjera politike botërore.

Nën organizimin e VentureUP, Kevin Lampe të shtunën ligjëroi para studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” lidhur me fuqizimin e studentëve, teknikat e të folurit në publik, mënyrat e qasjes ndaj Qeverisë dhe menaxhmentit të Universitetit, etj.

Kevin Lampe është ekspert i strategjive politike dhe medias. Ai ka punuar në fushata politike, ndër të tjera edhe ka përpiluar fjalimin kryesor që e zgjodhi Barack Obaman president në vitin 2004, në Konventën Demokratike. Ka punuar me personalitete të njohura botërore, si: Bill Clinton, Al Gore, Joe Biden etj. Shërbimet e Lampe kanë ndihmuar klientë të ndryshëm të kenë mbulim pozitiv nga ana e medias.