Ka nisur Konferenca Ndërkombëtare e Kosovës për Hulumtime Arsimore - KICER 2023

Ka nisur Konferenca Ndërkombëtare e Kosovës për Hulumtime Arsimore - KICER 2023

Marigone Vrajolli 9 qershor 2023 Arkivuar

Fakulteti i Edukimit, Universiteti i Prishtinës, ka hapur sot Konferencën Ndërkombëtare të Kosovës për Hulumtime Arsimore, ku tema që do të trajtohet këtë vit në konferencë është: “Zhvillimi i hulumtimit dhe praktikave arsimore në sistemet arsimore të orientuara në kompetenca”.

Kjo konferencë organizohet me qëllim të ofrimit të njohurive dhe praktikave të reja shkencore me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit në Kosovë. 

Të pranishëm në këtë konferencë ishin prorektori për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion, Sefer Avdiaj, dekani i Fakultetit të Edukimit,  Blerim Saqipi, prodekanja e Fakultetit të Edukimit për çështje mësimore, Blerta Perolli Shehu, këshilltarja e ministres së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arrita Gola, profesori Erik Ryen nga Universiteti Metropolitan në Oslo, Norvegji, profesori Armend Tahirsylaj, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Edukative, Universiteti Norvegjez i Shkencës dhe Teknologjisë, Trondheim, Norvegji, bordi shkencor që vlerësoi prezantimet e studentëve, studentët dhe palët e interesuara.

Prodekanja për çështje mësimore, Perolli Shehu, hapi konferencën me një fjalim ku theksoi rëndësinë e kësaj konference, e cila është në vitin e tretë dhe këtë vit përmban mbi shtatëdhjetë (70) prezantime, një simpozium dhe tryezë të rrumbullakët diskutimi, të cilat shërbejnë kryesisht si ndërmjetësues në këtë proces bazuar në rolin e mesimëdhënësit në sistemet arsimore të orientuara në kompetenca.

E pranishme në hapje të kësaj konference, këshilltarja e ministres në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Gola vlerësoi rëndësinë e kësaj konference si një konferencë e përvitshme e organizuar nga Fakulteti i Edukimit e cila trajton shumë tema të zhvillimit të arsimit.

Duke theksuar rëndësinë e kësaj konference në bashkëpunimin me akterë të shumtë në fushën e arsimit, përfshirë Kosovën dhe vende të tjera për t'u përfshirë në diskutime për temat e trajtuara në kuadër të punës së kësaj konference, u vendos në fokus nga prorektori Avdiaj. Prorektori Avdiaj beson fort në vlerën e bashkëpunimit dhe rritjes arsimore, duke hapur rrugë të reja që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në arsim. Së fundi, prorektori përfundoi fjalimin e tij duke shprehur vlerësimin e tij për suksesin e kësaj konference në nxitjen e bashkëpunimit në të ardhmen. 

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, në fjalën e tij foli për qëllimin e kësaj konference, e cila ofron mundësi për ndërveprim, i inkurajuar nga iniciativa të tilla dhe duke synuar iniciativa të tjera me qëllim të avancimit të arsimit të lartë.

Në kuadër të kësaj konference, në ditën e saj të parë, u bënë dy prezantime nga profesorë në universitetet norvegjeze. “Tendencat dhe sfidat në edukimin dhe kurrikulën e mësuesve norvegjezë”, u prezantua nga profesori Dr. Erik Ryen. Në prezantimin e tij, profesori Ryen prezantoi traditën didaktike dhe mësimdhënien si proces të interpretimit të kuptimit të përmbajtjes. Gjithashtu, tendencat në kurrikulën norvegjeze, nga kurrikulat e bazuara/orientuara në "përmbajtje", tek kurrikulat e bazuara në “kompetencë”. Pastaj, zhvillimin teknologjik - nga 'shoqëria industriale' te 'shoqëria e dijes' si dhe ndërveprimin që ndodhi nga përmbajtja në kompetencë, nga  vitet 1997, 2006 dhe 2020 në Norvegji.

Ndërsa profesori Armend Tahirsylaj, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Edukative, prezantoi me temën "Kurrikula e bazuar në kompetenca mes vizioneve politike dhe sfidave të zbatimit- trendet ndërkombëtare dhe mësimet vendore". Profesori Tahirsylaj prezantoi dy modele të kurrikulës: “Kurrikula e bazuara në përmbajtje” (njohuritë diciplinare) dhe “Kurrikulat e bazuara në kompetenca” (përvetësimi i rezultateve të të nxënit / kompetencat specifike). Më tej, profesori Tahirsylaj prezantoi dallimet mes arsimit të bazuar në inpute dhe arsimimit të bazuar në rezultate. Duke vazhduar me evoluimin e Kurrikulave të Bazuara në Kompetenca (KBK) si strategji për zhvillimin në Evropë, kushtet për zbatimin e suksesshëm, sfidat dhe mësimet nga zbatimi i saj në Kosovë, trendet aktuale globale në arsim, përafrimi i reformave kurrikulare në Kosovë me trendet evropiane/globale  si dhe vizionet e së ardhmes.

Konferenca do të vazhdojë punën e saj edhe nesër, më 10 qershor 2023 me prezantime dhe simpoziume të tjera.