Java e Gjuhës Italiane: Profesori Leonardo Savoia ligjëron në UP
Profesori emeritus nga Akademia della Crusca e Italisë, Leonardo M. Savoia, mbajti një ligjëratë në Sallën e Senatit të Universitetit të Prishtinës në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane në Botë.
Profesori italian dhe njëri nga studiuesit e njohur të dialekteve të italishtes, foli për historinë e kësaj gjuhe nga latinishtja e kohës romake e deri në mesjetën e hershme kur u krijua gjuha italiane.
Prof. Savoia krijimin e italishtes, si edhe krijimin e çdo gjuhe tjetër, e cilësoi proces kompleks. Tha se nuk ka gjuhë të pastër, por përzierje të fjalëve të shumë gjuhëve në leksikun e secilës prej tyre.
Ai veçoi Dante Alighierin, shkrimtarin italian me përmasa botërore, si kontribuues të madh të krijimit të gjuhës standarde italiane, ndërsa përmendi edhe të folmen arbëreshe si dialekt të këtij vendi.
Ligjëratën e profesorit Savoia e ndoqën edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Sh.T. Maurizio Antonini, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, drejtoresha e Institutit të Gjuhës dhe Kulturës Italiane në UP, prof. Majlinda Bregasi dhe studentë të Fakultetit të Filologjisë.
Ambasadori italian Antonini tha se vit pas viti po rritet interesimi i studentëve kosovarë për ta studiuar italishten, ndërsa tregoi se mediat italiane kanë filluar ta promovojnë Kosovën edhe si një destinacion turistik.
Prorektorja Rozafa Basha tha se ligjërata e profesorit Savoia më shumë se një ngjarje akademike është një dëshmi e miqësisë së fortë midis Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve akademike italiane. Ajo theksoi se ndërkombëtarizimi është në zemrën e misionit të Universitetit të Prishtinës. Në këtë frymë, Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë të jetë një shtëpi e hapur ndaj gjuhës dhe kulturës italiane.
Gjatë ngjarjes foli edhe profesoresha Majlinda Bregasi, që tregoi se mbi 200 studentë të UP-së po e kryejnë kursin e Gjuhës Italiane në Fakultetin e Filologjisë.
Java e Gjuhës Italiane në Botë, me moton „Gjuha Përtej Kufijve”, sivjet organizohet për herë të 25-të. Kjo javë nisi mbrëmë me aktivitetin poetik „ Dy zëra, një poezi” gjatë të cilit poetet Denata Ndreca nga Firence e Italisë dhe Donika Dabishevci nga Prishtina sollën në dy gjuhë, shqip dhe italisht, poezitë e tyre. Aktivitetet në Universitetin e Prishtinës po zhvillohen nën organizimin e Institutit të Gjuhës dhe Kulturës Italiane të UP-së dhe me mbështetje nga ambasada e Italisë.