Inaugurohet zyra e Shoqatës së të Diplomuarve të UP-së, AlumniUP

Administrator Administrator 3 korrik 2019 Arkivuar

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, është mbajtur sot ceremonia solemne e inaugurimit të zyrës së Shoqatës së të Diplomuarve të Universitetit të Prishtinës “AlumniUP”.

Të pranishmëve në këtë ceremoni me fjalë rasti iu është drejtuar rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili u shpreh i lumtur për inaugurimin e rrjetit AlumniUP, duke treguar për të pranishmit që ai ishte ndër të parët që është anëtarësuar në këtë shoqatë.  
“Hapja dhe zhvillimi i shoqatës së të diplomuarve të UP-së ka qenë njëra ndër objektivat kryesore, e përfshirë në kuadër të tetë shtyllave strategjike që kemi paraparë në Planin tonë Strategjik. Për mua si rektor, por në veçanti si i diplomuar këtij universiteti, inaugurimi i zyrës së Shoqatës se të Diplomuarve është një event i veçantë, siç është e tillë edhe vetë kjo shoqatë” tha Dema.

Në anën tjetër, drejtoresha ekzekutive e AlumniUP, znj. Gjylbehare Llapi, falënderoi bashkëpunëtorët e rrjetit, të cilët ebënë të mundur hapjen e kësaj zyre. Ajo u shpreh e kënaqur që si një e diplomuar e Universitetit të Prishtinës tani është pjesë e themelimit të kësaj shoqatë mjaft të rëndësishme për universitetin.

Ne këtë ceremoni të pranishëm ishin: drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, prorektorë, përfaqësues nga USAID-i, dekanë, staf e të diplomuar të UP-së.  

AlumniUP është Shoqatë e të Diplomuarve të Universitetit të Prishtinës, qëllimi i se cilës është lidhja e gjeneratave të studentëve të UP-së për të krijuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe krijim të lidhjeve në mes të diplomuarve, profesorëve të fakulteteve përkatëse, bashkësisë më të gjerë akademike dhe punëdhënësve. AlumniUP deri më tani numëron mbi 18 mijë të diplomuar si anëtarë të saj.